Haradinaj kërkon mbështetjen e Britanisë për dialogun me Serbinë

Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë një takimi me ministrin britanik të Shtetit për Evropën dhe Amerikën, Alan Duncan dhe Richard Moore, drejtor i Përgjithshëm Politik në Ministrinë e Jashtme, ka kërkuar mbështetjen e shtetit britanik në proceset e tanishme të konsolidimit të vendit dhe procesin final të dialogut me Serbinë.

“Prezenca dhe kontributi i Mbretërisë së Bashkuar është i nevojshëm në Stabilitetin e Ballkanit dhe Kosova është e përkushtuar që të fuqizojë partneritetin mes të dy vendeve”, ka thënë kryeministri Haradinaj duke theksuar orientimin euroatlantik të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, ministri britanik, Alan Duncan dhe Richard Moore, vlerësuan se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve janë shumë të mira dhe Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë përkrahjen e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar./real-news.tv/