Haradinaj: Nuk i japim askujt tokat tona!

Kryeministri Ramush Haradinaj ka ftuar sot për unitet politik duke porositur për kujdes kundërshtarët e tij të cilët mbështesin idenë për korrigjim të kufirit, pasi që janë fokusuar më shumë në garën e brendshme sesa në garën e jashtme me një vend grabitqar siç është Serbia.

Duke folur për ruajtjen e kufijve të vendit, gjatë tubimit përkujtimor me rastin e 20 vjetorit të rënies së dëshmorëve Halim Ahmetaj, Rexhep Kukaj dhe Murat Kabashi, Haradinaj tha se brezi i UÇK-së e ka ndryshuar historinë e shqiptarëve, gjë që garanton kufijtë e shtetit të Kosovës.

Ai ka ftuar ndërkombëtarët që të ndihmojnë në zgjidhjen e problemit te Ballkanit, teksa ka theksuar se më nuk do të ketë përsëritje të historisë, ku shqiptarët japin tokën të tyre.

Në 20 vjetorin e rënies dëshmorëve, ai përsëriti se shqiptarët duhet të jenë gjithmonë të bashkuar.

Jemi në kohën kur ne duhet të kujdesemi për shtëpinë tonë, pra për tokën tonë, për vendin tonë, për atdheun tonë. Sepse nëse ka popull në Ballkan që ka dhënë për të tjerët jemi ne. Dihet historikisht që ndër shekuj shqiptarët kanë dhënë nga territoret e veta, nga e drejta e vet, nga ajo që ua ka lënë Zoti, për popujt tjerë. Pra jemi në kohën kur duhet të kujdesemi për tokën tonë,për atë që ka mbetur e jona, e shqiptarëve… Nuk ka më kthim prapa  dhe nuk ka më vazhdim të praktikave me marrë prej shqiptarëve. Brezi i fundit, pra brezi i UÇK-s e ka ndryshuar këtë… Iu bëjmë thirrje të gjithve që të na ndihmojnë të arrihet paqja në Ballkan, por kurrë më jo duke kërkuar prej shqiptarëve për paqen. Ne jemi ata që kemi dhënë në vazhdimësi”, tha ai.