Hendeku i pagave, Kosova ofron më shumë se Shqipëria për mjekët

Mjeke-operacion-678x450.jpg

Në pesë vitet e fundit, 857 mjekë janë larguar nga Shqipëria, kryesisht drejt Gjermanisë, por jo vetëm, për arsye që lidhen me pagat e ulëta, denigrimin e figurës së mjekut, krizën e besimit të publikuar ndaj tyre, që ka degraduar deri në dhunë, braktisjen nga ana e institucioneve përballë kësaj dhune, mbingarkesën në punë, mungesën e pajisjeve dhe një mbrojtje më e mirë ligjore.

Reagimi i Qeverisë ndaj kësaj situate, ka qenë deri tani, një deklarim për ashpërsim të masave në Kodin Penal në lidhje me këtë dhunë ndaj mjekëve dhe asgjë më tepër, pa u futur fare në thelbin e problemit e masat që do të duhet të merren për të zgjidhur atë. E gjendur në pak a shumë të njëjtën situatë, Qeveria e Kosovës dyfishoi pagat e trupës shëndetësore këtë vit, si një masë parësore, për të frenuar largimin e mjekëve. Pra, tashmë në Kosovë mjekët marrin paga mbi 2-3 herë më të larta se në Shqipëri, për të njëjtin rol në sistemin e shëndetësisë. Rezultati që prekim çdo ditë e më shumë në realitetin tonë shëndetësor është se ndërsa tregu europian po rrit kërkesën për mjekë, sistemi shëndetësor shqiptar po zbrazet jo vetëm nga diferenca në paga midis Shqipërisë e Bashkimit Europian, por edhe nga mungesa e trajtimit të problemeve që e nxisin këtë eksod të bluzave të bardha.

Hendeku i pagave, Kosova ofron gati tre herë më shumë se Shqipëria për mjekët

Një mjek specialist në Shqipëri në shërbimin spitalor paguhet me pagë neto rreth 527 euro. Në shërbimin parësor shëndetësor, paga neto është 408 euro sipas të dhënave nga Ministria e Financave. Ndërsa në Kosovë, që nga ky vit, një mjek specialist në spital dhe në qendrat e kujdesit shëndetësor paguhet me pagë neto 1195 euro në muaj. Një mjek specialist në Kosovë merr 2.5 herë më shumë se një mjek nga Shqipëria. Rritja e pagave në Kosovë mund ta shndërrojë atë në një qendër të re graviteti për mjekët shqiptarë, të cilët për shkak të afërsisë gjeografike, mund të zgjedhin Kosovën për të ushtruar profesionin e tyre.

Me rritjen e fundit të pagave që Kosova ka aplikuar në fushën e mjekësisë, një infermier i parë në Kosovë merr pagë më të lartë se një mjek specialist në Shqipëri. Paga e një kryeinfermieri në Kosovë është 621 euro, ndërsa paga e një infermieri në spital, 537 euro. Vendet në rajon kanë gjithashtu paga më të larta se Shqipëria në sektorin e shëndetësisë. Burimet zyrtare në Ministrinë e Shëndetësisë pohuan se vetëm në 2 vitet e fundit (2017-2019) qeveria ka ndërmarrë rritjen më të madhe të pagave në sektorin e shëndetësisë me 17%.

Të njëjtat burime sqarojnë se për disa shërbime si Urgjenca, Reanimacioni etj., pagat për mjekët janë rritur deri në 25% vetëm në 2 vitet e fundit. Ministria e Shëndetësisë lajmëron se, duke filluar nga muaji prill, nis rritja e pagave me 7% të 18,416 punonjësve të shëndetësisë, nga e cila do të përfitojnë 4,650 mjekë dhe 13,765 infermierë, me një buxhet mbi 1 mld lekë. Ndërkohë është dyfishuar masa e bonusit për mjekët specialistë që japin shërbim në spitalet rajonale. Por duket se Kosova po tregohet më e qartë në politikat e saj kundër emigrimit të mjekëve.

Pagat u dyfishuan pikërisht për këtë arsye dhe fokusi është vënë në përmirësimin e infrastrukturës spitalore, duke investuar në pajisje dhe teknologji, tha Matoshi nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës. Autoritetet e shëndetësisë në Kosovë nuk i shohin koncesionet me Partneritet Publik – Privat si një formë për të përmirësuar situatën si në shërbime dhe në investime./monitor

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303