Hiqet nga puna me telefon, flet publikisht kandidati për kreun e PS

Drejtori rajonal i Departamentit të Kontrollit dhe Rikuperimit të Humbjeve të OSHEE-së Durrës, Ardit Kërtusha është shkarkuar nga posti që mbante prej prillit të këtij viti.

Sipas Kërtushës, shkarkimi është bërë përmes telefonit ndërkohë që nuk i është dorëzuar motivacioni për largimin e tij nga OSHEE-ja.

Kërtusha pretendon se shkarkimi i tij ka lidhje me takimet që ai ka organizuar me bazën dhe organizatat socialiste në Durrës pasi synon të përfshihet në garën për kreun e Partisë Socialiste dega Durrës, ndër më të rëndësishmet në vend.

Kujtojmë që në muajt në vazhdim, PS Durrës do të zhvillojë zgjedhjet në të gjitha strukturat e saj. Nga 16 shtatori deri më 10 nëntor do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarët dhe sekretarët e 324 organizatave socialiste. Ndërsa deri më datë 7 dhjetor, PS-ja e Durrësit duhet të ketë zgjedhur kryetarin e saj, post të cilin aktualisht e mban Luan Zaza.

28-vjeçari Ardit Kërtusha nuk është një emër i panjohur në PS-në e Durrësit, pasi për një mandat 4-vjeçar, ai ka mbajtur postin e kryetarit të FRESSH Durrës si dhe postin e Drejtorit të Përgjithshëm pranë Këshillit të Qarkut Durrës për 5 vite me radhë.