Huliganët serbë sulmojnë Konsullatë e Kosovës në Danimarkë

Huliganë serbë kanë sulmuar Konsullatën e Kosovës në kryeqytetin e Danimarkës, Kopenhagen.

Lajmin e ka dhënë në facebook ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli.

‘’Sot, në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar Konsullata e Republikës së Kosovës në Kopenhagen, në Mbretërinë e Danimarkës si dhe është dëmtuar Stema e Shtetit të Kosovës nga banditët dhe huliganët serbë në Danimarkë.

Ne e dënojmë këtë veprim qyqar që shkel Konventën e Vjenës dhe sigurinë e ambienteve diplomatike dhe konsullore.

Ne jemi duke punuar me autoritetet daneze për të sjellë përgjegjësit para drejtësisë. Sulmet e vazhdueshme të huliganëve serbë kundër ambienteve diplomatike dhe konsullore të Kosovës tregojnë vetëm frustrimin e politikës së ngecur të Serbisë e cila ende nuk do të kuptojë se për 11 vjet në Balkanin Perëndimor ekziston një shtet i pavarur që quhet Republika e Kosovës.

E dënojmë fuqishëm propagandën serbe dhe fushatën agresive të Serbisë kundër Republikës së Kosovës”, shkruan Pacolli.