“I arrestuar në Itali”, Valdrin Pjetri i përgjigjet PD-së

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Valdrin Pjetri ka reaguar pas kërkesës së PD, drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, për hetim të pastërtisë së figurës ndaj tij.

“Sigurisht që jam shumë i hapur mbi cdo verifikim timin por jo mbi “ Indicie Publike”. Askush më mirë së Institucioni i Prokurorisë së Pergjithshme nuk mund të kthejë përgjigje kërkesës së Z. Bardhi dhe cdo personi tjetër të interesuar apo kurioz.

Pasi institucioni i ngarkuar nga ligji për të kryer verifikimet e kërkuara të ketë kthyer zyrtarisht përgjigje, nga ana ime do ketë një prononcim publik mbi këtë kërkesë të z.Bardhi të bërë në emër të Partise Demokratike”, ka thënë Pjetri për “BalkanWeb”.

Dje Partia Demokratike i dërgoi një kërkesë Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku duke i kërkuar verifikimin e figurës së Valdrin Pjetrit, kandidat i PS në Shkodër për 30 qershorin.

Sipas deklaratë së firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, “Pjetri ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali (ka jetuar në Firence, Itali) dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane”.

“Në vitin 2001-2002, Valdrin Pjetri ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali (ka jetuar në Firence, Itali) dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Valdrin Pjetri nga periudha 2002 – 23.03.2010 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë”, – thuhet në shkresën që PD i ka dërguar Prokurorisë së Përgjithshme