I gjendet 6 kg drogë të fshehur në çatinë e shtëpisë, pranga lezhjanit 49-vjeçar

Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 49-vjeçar, i cili kishte fshehur plot 6 kg e 185 gram lëndë narkotike në çatinë  e shtëpisë.

Specialistët për hetimin e narkotikëve dhe forcat policore të Komisariatit të Policisë Lezhë, mbi bazën e informacione të marra falë bashkëpunimit komunitet-polici, se një shtetas në banesën e tij fshihte drogë, kanë ushtruar kontroll të befasishëm, ku të fshehur në çatinë e shtëpisë së tij në fshatin Barbullojë në Lezhë, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi prej 6 kg 185 gr lëndë narkotike kanabis sativa.

Mbi të rëndojnë veprat penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.

Materialet procedurale në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë për veprime të mëtejshme.