“I vrarë për procedurë shefash”. Anila Hoxha zbardh fakte të forta: Lamtumirë, 5 oficerëve të RENEAS që u vranë nga shteti

anila.jpg

Gazetarja Anila Hoxha, ka publikuar një status të gjatë lidhur me vrasjen e Oficerit të Krimeve në Komisariatin e Lezhës, Saimir Hoxha dhe largimit nga puna të 5 oficerëve të RENEA-s, ku hedh ‘akuzat e forta’ se Hoxha u vra për procedurë shefash që ngjiten në detyrë me operacione që, nëse mbyllen sukseshëm ata mbushin supet me sakrificën tuaj, e nëse dështojne ATA shfryjnë te ju.

Nga Anila Hoxha

Lamtumirë nënkomisar, që udhëtoje përditë drejt Lezhes dhe kurrë, për dreq nuk t’i pa askush ato grada se, përse ti dhe shumë si ti nuk ngriheshin në detyrë, por përherë përdoreni “mish për top”! Megjithëse, ishe gati për vendin tënd t’i merrje ata plumba në gjoks. Lamtumirë, Saimir, i vrarë disa herë përpara se dora e Aldi Ramës të të “dekoronte” për vdekje me dy plumba në gjoks.

I vrarë mbasi të nisën për asgjësim droge vetëm 3 vetë, pa asnjë grup mbështetës të Policisë ose të FNSH.

I vrarë për procedure shefash që ngjiten në detyrë me operacione që, nëse mbyllen sukseshëm ata mbushin supet me sakrificën tuaj, e nëse dështojne ATA shfryjnë te ju.

Derisa nëpër natë apo ditë një krismë dëgjohet dhe një plumb mbillet në gjoksin e një polici tjetër.

Por, vrasja më e rëndë është kur të vret i yti!

Lamtumirë, 5 oficerëve të RENEAS që u vrane nga shteti i tyre të premten.

Pa plumba.

S’pati krisma .

Ata u vranë ndryshe, me atë fishekun e mediokërve që ata lëshojnë mes luftrave të bërrylave “për nevoja pune”!

Për nevoja pune, Saimir, u vranë me firmë shefash Agim Lleshi, 25 vjet oficer i Reneas, Shkëlzen Brahaj, 23 vite oficer i Reneas, Besnik Lala 24 vite oficer i Reneas, Marient Hoti, 7 vjet oficer i Reneas dhe Ardian Pikli, 7 vjet oficer i këtij Reparti.

Ata mund të ishin dërguar diku tjetër, të jepnin njohuritë e tyre mbase për të stërvitur punonjësit e Policisë se si përdoret arma, si ndërhyhet, si reagohet.

Por, jo!

Pa asnjë ‘faleminderit’, minimumi t’i nxirrnin para kolegëve të tjerë e t’ju thoshin ‘po ju lëvizim për nevoja pune’.

Atyre ju mbyll dera e RENEAS, brenda të premtes “për nevoja pune” se duhet të patrullojnë në terren, por troç troç ata u qarkulluan për të hapur vende të reja pune, qoftë sikur edhe duke paguar nën dorë.

Kjo është vrasja që të bën i joti, të mohon çdo gjë ke dhënë për vendin, çdo gjë ke bërë, s’ka më rëndësi a ke rrezikuar apo jo, sa i kualfikuar je dhe në çfarë trajnimesh është shpenzuar për të të rritur. Ti duhet të flakesh sikur je një çiban, pa ceremoni, duke mos thënë as më të paktën fjalë FALEMINDERIT!

Qoftë sikur t’u thuhet faleminderit, sepse kur u vra shoku i tyre Ibrahim Basha, mblodhën kontribute dhe për shkak ‘të mungesës së fondeve’ ja bënë ata ‘shtëpinë e fundit”.

Por, ka të tjerë që janë vrarë pa krisma, të parët u vranë mbas rënies së Lazaratit, u hoqën ‘për nevoja pune’. Të dytët po për nevoja pune, sepse në kohën e Sandër Lleshit u zbulua se ishin në moshë të madhe dhe ky ishte kriter që të degdiseshin nëpër komisariate e FNSH. Mes tyre në këtë valë ‘u vra’ me këtë firmë , edhe oficeri i RENEAS, Gjergj Ujka, vëlla i Dëshmorit të Atdheut Arben Ujka.

‘Shikoje kredinë që kam ende për ta paguar. Isha trupë operacionale dhe kur numëroj aksionet e rrezikshme dhe mënyra si u flaka, ndihem i vrarë. Unë, oficeri i RENEAS, nuk e konceptoj dot se si, pa asnjë mirënjohje hidhem poshtë kur mund t’i jepja ende Policisë. A mund të patrullojë një oficer i RENEAS dhe të shërbejë në një Komisariat?”, pyet njëri ndër ta. Ai është brumosur për aksion, me taktika që bartin rrezikun dhe do t’i duhen së paku tre vjet që të mësoje se taktikat e tij nuk janë më për neutralizimin e personave me rrezikshmëri të lartë, por për të kontrolluar rripin e sigurise apo për të matur alkoolin.

Kur u vranë këta pesë të fundit, të vetmit që e dëgjuan vrasjen pa krisma ishin kolegët e tyre. Ata ulën kokën teksa shokët po parakalonin në heshtje, të mohuar nga atdheu i tyre.

Ata që këmba-këmbës më pas ju qepën vrasësit të Saimir Hoxhes dhe me maskë të zezë i bënin apel të dorëzohej.

Me siguri, duke menduar e pyetur nën atë maskë që ndalon identifikimin e tyre: “po mua, kur do me vrasin të mitë?”

Më poshtë, në vend të letrës së falenderimit, oficeri ka ende kredinë pa paguar.

scroll to top