Institucionet e Kosovës kërkojnë Gjykatë Ndërkombëtare për krimet serbe

Kohë më parë, ishte paralajmëruar themelimi i një departamenti në Kosovë që do të merrej me rastet e dyshuara të krimeve të luftës, ndërkohë që së fundit, po flitet edhe për tribunal ndërkombëtar, pavarësisht faktit se një kompetencë të tillë e ka vetëm Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Për 186 masakra të kryera në Kosovë e për mijëra të vrarë nga forca serbe gjatë viteve 1998-99, institucionet e Kosovës do të kërkojnë drejtësi, ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ai tha se tashmë ka nisur konsultat dhe procedurat të cilat shumë shpejt do të rezultojnë me hapa konkretë drejt formimit të Gjykatës Ndërkombëtare për krimet dhe gjenocidin që Serbia ka kryer në Kosovë.

Ky tribunal, sipas kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, do të jetë ndërkombëtar dhe do të gjykojë të gjithë ata që kryen krime në Kosovë. Sipas tij, krimet dhe masakrat e kryera nga Serbia në Kosovë, janë të përmasave të gjenocidit.

“Kjo gjykatë është e mundur, është e domosdoshme, ka për të ndodhur, do të ndodh. Fundi në këtë proces ka vetëm një qëllim, drejtësi dhe të ardhme e pajtim”, tha Veseli.

Veseli, thotë se drejtësia ndërkombëtare ka dështuar t’i hetojë krimet serbe, sepse heshtja siç u shpreh ai, “ndaj dëshmive dhe dëshmitarëve është falje e heshtur për kriminelët”.

“Ne kemi besuar tek e vërteta. Fatkeqësisht, kanë kaluar dy dekada dhe pak, ose aspak nuk është bërë në këtë drejtim. Tribunali i Hagës, i ka lënë në gjysmë proceset gjyqësore kundër krerëve të regjimit të Millosheviçit. Për atë sa edhe drejtësia ndërkombëtare në Kosovë, nuk e ka bërë punën e saj që është dashur ta bënte”, tha Kadri Veseli.

Përveç partive opozitare në Kosovë, për këtë iniciativë Kadri Veseli ka edhe përkrahjen e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është shprehur se krijimi i një Tribunali Ndërkombëtar që do të gjykonte krimet e kryera nga Serbia në Kosovë është i mirëseardhur./real-news.tv/