Kaloi nga PDK në VV, deputetja tregon arsyet: Nuk kam gjetur përkrahje, kam marrë shumë mesazhe nga elektorati  

adelinaa-780x439-1-768x432.jpg

Deputetja Adelina Grainca ka treguar ditën e sotme të gjitha arsyet që e bënë atë të largohet nga PDK-ja dhe të kalojë në VV. Në një deklaratë për mediat, ajo ka thënë se largimi i saj ka qënë vetëm për shkaqe politike dhe se ajo në PDK nuk ka gjetur mbështetje. Grainca është shprehur se në PDK e kanë neglizhuar shumë për shkak të moshës që ka dhe se nuk i kanë ofruar mundësi për tu zhvilluar si politikane.

Ajo ka thënë se në VV ka parë një pjesëmarrje të shumtë të grave dhe se kjo ka bërë që ajo të mendojë se VV-ja është zgjedhja e saj më e mirë. Ndërsa në lidhje me zgjedhjen e Presidentit, ajo ka thënë se ka marrë shumë mesazhe nga elektorati i saj që i kërkonin të votonte, në mënyrë që të mos bëhej shkaku i përhapjes së pandemisë me shkuarjen e vendit në zgjedhje të reja.

“Largimi nga PDK-ja ka qenë për shkaqe politike. Nga prezantimi i emrit tim në kryesi (të PDK-së, dega Ferizaj) e deri më tani, nuk kam gjetur përkrahje. E gjithë kjo për shkak të moshës si dhe mungesës së përvojës në sferën e politikës. E përveç kësaj, edhe për shkak që nuk kam qenë pjesë e taborëve politike të mirë-vendosura. Që nga fillimi më kanë neglizhuar si në nivelin lokal po ashtu edhe në atë qendror, duke mos më ofruar mundësi për zhvillim si një politikane e re dhe si person që përfaqëson rininë në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Kjo kohë më ka ndihmuar të reflektoj dhe shoh Lëvizjen Vetëvendosje, me moshën mesatare më të re dhe pjesëmarrjen më të madhe të grave, mundësi më të mirë të zhvilloj dhe avancoj qëllimet për një shtet dhe shoqëri të prosperuar. Me zhvillimet e fundit për zgjedhje të presidentit, në vazhdimësi kam pasur kërkesa të shumta nga elektorati që më ka zgjedhur, që të marrë pjesë në seancën parlamentare për zgjedhje të presidentit. Mesazhi i tyre i qartë ka qenë që të marrë pjesë sepse nuk duan të ketë zgjedhje sërish. Mbajtja e zgjedhjeve do të nënkuptonte zgjatje e jetës së pandemisë, përgjigje jo adekuate ndaj rënies ekonomike, dhe si rezultat izolim të Kosovës, jo vetëm për shkak të mungesës së liberalizimit të vizave por edhe për shkak të pandemisë. Prandaj, unë kam vendosur të dëgjoj elektoratin tim, dhe të marr pjesë në seancën e së dielës përkundër faktit që veçse ishte siguruar kuorumi”, tha ajo.

Ditën e djeshme, deputetja Adelina Grainca ka kaluar nga partia PDK në VV. Ajo është parë duke ecur në sallën e Kuvendit me Albin Kurtin ditën e djeshme pas votimit për Vjosa Osmanit.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303