Kosova dorëzon 12 padi ndaj serbëve të dyshuar për krime lufte

Zyra për mbledhjen dhe dokumentimin e krimeve të luftës në Gjakovë, ka dorëzuar sot në Prokurorinë Speciale, 12 padi ndaj serbëve të dyshuar për krime lufte.

Pas dorëzimit të këtyre padive, Shkendije Hota tha se kontingjenti i këtyre kallëzimeve penale është bërë nga vetë dëshmitarët e rasteve, ku si të tillë kanë qenë vetë prezent qoftë vrasje apo dhunime seksuale nga forcat serbe.

“Le të bëjmë presion sa më shumë që kriminelët të cilët janë pjesëmarrës të këtyre krimeve në komunën e Gjakovës të fillojnë një procedurë penale ndaj tyre. Këto kallëzime penale nuk janë përralla, por ngjarje të vërteta. Ne e dimë se si shkojnë procedurat gjyqësore. Ne nuk presim që këto të bëhen me shkop magjik”, tha ajo, duke shtuar se vetëm në komunën e Gjakovës ka mbi 1600 persona të vrarë, e rreth 5000 raste të dhunimeve, ku kriminelët dihen me emër e mbiemër, dhe ekzistojnë edhe fotografi për të vërtetuar akuzat.