Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, njofton qytetarët e Republikës së Kosovës, me vendbanim në Kosovë apo jashtë vendit, që të shfaqin kujdes dhe maturi në rast se nuk mund të shmangin qarkullimin nëpër territorin e Serbisë.
“Në përputhje me obligimin institucional dhe ligjor për të informuar publikun dhe për tu kujdesur për sigurinë dhe integritetin e secilit qytetar të Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se Serbia nuk është më një territor i cili ofron as siguri minimale për integritetin e tyre fizik dhe juridik, dhe as për familjarët e tyre. Për rrjedhojë, sugjerohet evitimi i përkohshëm i qarkullimit përmes këtij vendi”, thuhet në njoftimin e MPJ-së drejtuar qytetarëve.
MPJ thotë se ky njoftim vjen si rezultat i arrestimeve të vazhdueshme të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga ana e institucioneve të këtij vendi, gjithmonë në rrethana fiktive. Një numër i tyre madje edhe janë keqtrajtuar fizikisht dhe psikologjikisht.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe të gjitha institucionet e vendit i kanë ftuar dhe vazhdojnë t’i ftojnë institucionet e Bashkimit Evropian, dhe jo vetëm, që të korrigjojnë këtë sjellje agresive të Serbisë, por që fatkeqësisht deri më tani kjo nuk ka pasur asnjë efekt.
“Ndryshe nga këto praktika primitive të Serbisë, Republika e Kosovës vepron në formë të matur, të civilizuar dhe demokratike, dhe nuk i trajton qytetarët e Serbisë në forma jo ligjore dhe jo demokratike, për aq kohë sa ata nuk janë të lidhur me krimin, dhe i respektojnë ligjet e Republikës së Kosovës”, thekson MPJ.
MPJ ka ftuar edhe Serbinë, që të heqë dorë nga praktikat fashiste, dhe të pranojë faktin që është pjesë e kontinentit evropian, ku liria e lëvizjes është e drejtë universale e secilit, dhe respektohet pavarësisht agjendave politike.
Ky njoftim mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë në lidhje me këtë zhvillim.
Ky lajmërim vije pasi që autoritetet e Serbisë para dy dite kanë arrestuar një qytetar nga Kosova./real-news.tv/

