Kryesia e Kuvendit të Kosovës, sot do të mbajë mbledhje me shefat e grupeve parlamentare ku do të diskutohet për përgatitjet për të mbajtur seancën për shpërndarjen e Kuvendit të Legjislaturës së VI.
Kjo mbledhje është thirrur nga kryeparlamentari Kadri Veseli, pasi refuzoi thirrjen e presidentit Hashim Thaçi për të caktuar një mandatar të ri për kryeministër pas dorëheqjes së Haradinajt.
Mbledhja e kryesisë së Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet rreth orës 11:00.
Duhet theksuar se për të shpërndarë Kuvendin nevojiten 80 vota të deputetëve.
Neni 82 i Kushtetutës së Kosovës e ka përcaktuar saktë mënyrën se si Kuvendi mund të kryejë procesin e shpërndarjes.
“Kuvendi shpërndahet në këto raste: Nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve, shpërndarja bëhet me dekret të Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në pikën 1 të nenin 82 të Kushtetutës së Kosovës”.
Sipas drejtorisë për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës, kryesia si pikë të parë do ta ketë miratimin e procesverbaleve nga mbledhja e mëparshme kurse, në pikën e dytë dhe të fundit, do t’i bëj përgatitjet për mbajtjen e seancës plenare për shpërndarjen e Kuvendit të Legjislaturës së VI.

