Në një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Komisionit të Rithemelimit, ish-kryeministri Sali Berisha mendon se presidenti i ri i vendit duhet të jetë politik. Berisha theksoi se një president jo politik është absurditet.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për këtë çështje, ish-kryeministri sulmoi sërish Enkelejd Alibeajn, duke thënë se po i shërben Edi Ramës dhe Taulant Ballës. Berisha tha gjithashtu se presidenti po trajtohet si çështje familjare.
“Të imagjinosh një president jo politik është absurditet. Posti i presidentit është politik. Vërtet nuk është ekzekutiv por kjo s’do të thotë se nuk është politik. Çdo kriter tjetër është i gabuar, është i stisur dhe nonsens. Në rast se e keni fjalën për kriteret ka një deklaratë si i vlerëson kritere e Alibeaj ka një deklaratë PD. Janë të gjitha të dala nga zyra e Ballës dhe Ramës. Vetëm të zgjedhë presidentin që do Rama.
Ju e keni vënë re sesi procesi më serioz u katandis në një proces familjar. Në një anë Batoni që është zëdhënësi më autentik i Ramës, thotë se si Linda Basha nuk ka kandidat tjetër. Rama u thotë deputetëve të vet që emri im është më i propozuari nga ju. Është e hidhur sepse po trajtohet si një çështje familjare”, deklaroi Berisha.