Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, është zotuar të mos thotë kurrë emrin e personit që vrau 50 persona në xhaminë e Christchurch.
“Ai kërkoi shumë gjëra me aktin e tij terrorist, mes tyre dhe famën, prandaj nuk do të më dëgjoni ta përmend emrin e tij”, tha Ardern në një fjalim emocional në parlamentin e Zelandës së Re.
Të shtënat e së premtes së kaluar në dy xhami lanë 50 të vdekur dhe dhjetëra të plagosur.
Australiani Brenton Tarrant, 28 vjeç, një supremacist i vetë-përshkruar i bardhë, është akuzuar për vrasje.
Ardern tha: “Ju lutem, flisni për emrat e atyre që kanë humbur jetën, në vend të emrit të njeriut që i mori ato jetë. Ai është një terrorist, ai është kriminel, është ekstremist, por ai, kur të flas për këtë ngjarje, le të jetë pa emër. ”
Në një takim të veçantë të parlamentit të martën, Ardern përdori përshëndetjen arabe “Al-Salaam Alaikum”, e cila do të thotë “paqja qoftë mbi ju”.
Kryeministrja u bëri thirrje platformave të rrjeteve sociale që të bëjnë më shumë për të luftuar terrorin, pasi njeriu i armatosur në Christchurch filmoi sulmin e tij live në Facebook.
“Ne nuk mund të rrimë duarkryq dhe thjesht të pranojmë se këto platforma ekzistojnë dhe se çfarë publikohet në to nuk është përgjegjësi e vendit ku u publikua”, tha ajo.
Kryeministrja u tha deputetëve se sulmuesi do të “përballet me forcën e plotë të ligjit”. Ajo i inkurajoi qytetarët të pranonin dhimbjen e komunitetit musliman këtë të premte – që është dita e adhurimit musliman./real-news.tv/

