Kultivim kanabisi dhe ndërtim pa leje, dy të arrestuar në Kurbin

Policia e Kurbinit ka vënë në pranga dy persona të shpallur në kërkim dhë dënuar në mungesë për kultivim narkotikësh dhe ndërtim pa leje.

Të arrestuarit janë shtetasit B. S., 40 vjeç, banues në Kurbin dhe P. Gj. 26 vjeç, banues në Laç. B.S ishte shpallur në kërkim pasi në shtator 2016 Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin e ka dënuar me 4 vite burg, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, duke qenë se në vitin 2016  këtij shtetasi, Policia i gjeti të kultivuara në oborrin e banesës një numër të konsiderueshëm bimësh narkotike.

Ndërsa P. Gj ishte shpallur në kërkim, pasi  Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 8 muaj burg për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”. Gjithashtu për ketë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit Rrugor” si dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.