Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ne 15-vjetorin e themelimit të kësaj partie hodhi akuza të forta ndaj qeverisë Rama, ku tha se Rilindja ka shkatërruar ekonominë e qytetarëve. Sipas saj, sot Shqipëria është zbarazur si rezultat i pabarazive sociale, ndërsa shtoi se të rinjtë e të rejat kanë marrë rrugën e emigrimit në kërkim të shpresës.
“Duke komentuar zgjedhjet e 30 qershorit, Kryemadhi theksoi se qytetarët i dhanë të drejtë opozitës pasi 80% e tyre braktisën duke mos marrë pjesë në kutitë e votimit. Për ne mbetet parësore Kthimi i besimit tek Shqipëria, si shtëpia jonë e përbashkët. Sot bota politike, intelektuale dhe akademike, nga vendi më i vogël i rruzullit e deri tek më i madhi, po diskuton e debaton një problem të mprehtë, që në Shqiperi, fatkeqesisht për kushtet dhe veçoritë dhe sidomos në këto vitet e regjimit të Rilindjes, nuk është thjesht një problem, por një dramë që po shkatërron këtë vend. Që ka mpirë shoqerinë dhe po i çon djemtë dhe vajzat tona gjithnjë e më shumë larg Shqipërisë. E kam fjalën për thellimin e polarizimit të shoqërisë sone dhe pabarazisë në të.
Ky problem i kanalizuar në ideologji të ndryshme,në botë trajtohet si fenomen social dhe politik. Për fat të keq në Shqipëri ky është thjesht dhe vetëm problem një i vetëm dhe ka të bëjë me vjedhjen e pronës publike dhe tenderimin e ekonomisë në duart e pak njerëzve të afërt me pushtetin.Asgjë më shumë se një vjedhje flagrante me një plan të mirëmenduar”, tha Kryemadhi.