Home Blog Page 11

“I respektuar mes narkotrafikantëve”/ Kush është “xhaxhai” shqiptar, u kap me 800 mijë euro kokainë në shtëpi!

0

Drogë e fshehur në një enë surprizë me vezë çokollate dhe 2,5 kilogramë kokainë në shtëpi, me vlerë 800 mijë euro.

“Xhaxhai Shqiptar”, një trafikant droge i njohur nga kryeqyteti, u arrestua tre ditë më parë në Itali.

Një dredhi e zgjuar, por që nuk arriti t’i mashtrojë oficerët e Skuadrës Fluturuese, u zbatua nga Amarildo Daulla, një trafikant droge 36-vjeçar shqiptar, i aftë për të lëvizur sasi të mëdha droge në qytet.

Emri i tij ishte një figurë e respektuar në qarqet e trafikantëve të drogës, siç dëshmohet nga libri i porosive të sekuestruara në shtëpinë e tij: nga përdorues të vegjël deri te shitës vendas, të cilëve u shiste blloqe droge për t’i prerë dhe shitur me pakicë. Tregu i tij ishte i vërtetë, i aftë t’i fitonte midis 3,200 dhe 3,500 euro në ditë.

Koordinues i operacionit të suksesshëm kundër drogës ishte kreu i Skuadrës Fluturuese të Ankonës, Dr. Carlo Pinto.

Emri i “Xhaxhait Shqiptar” kishte qenë prej kohësh në qendër të një hetimi për trafikun e drogës në kryeqytet, veçanërisht të kokainës, për të cilën ai ishte furnizuesi kryesor.

Për këtë arsye, për rreth një muaj, oficerët e policisë e kishin ndjekur atë me operacione të synuara në hije, vëzhgimi dhe duke kulmuar kur “Lo Zio” u kap në flagrancë duke i shitur një dozë kokaine një burri 35-vjeçar vendas.

U krye një kontroll personal, i cili zbuloi 15 doza kokaine, me një peshë totale prej 6 gramë, të fshehura brenda një ene surprizë në formë veze çokollate.

Një kontroll i mëvonshëm në shtëpi u lejoi hetuesve të gjenin 75 doza të tjera kokaine gati për shitje, me një total prej afërsisht 40 gramë, të vulosura me nxehtësi dhe të paketuara në të njëjtën mënyrë si ato që u gjetën te shitësi.

U gjetën gjithashtu gjashtë pako të paketuara që përmbanin narkotikë: konkretisht, 2.5 kg kokainë ultra të pastër, ende të paprerë, e cila do t’i kishte sjellë atij një fitim prej gati 800,000 eurosh.

Shtëpia përmbante gjithashtu një sasi të madhe materiali paketimi, një peshore dixhitale, një peshore precize, si dhe 3,000 euro në para të gatshme që besohet të jenë të ardhurat nga trafikimi i paligjshëm i kokainës, dhe fletoren që përmbante porositë dhe sasitë.

Tregtari u arrestua për posedim të paligjshëm të narkotikëve dhe, me urdhër të Zëvendës Prokurorit Rosario Lioniello, u mbajt në burgun e Montacuto-s në dispozicion të gjyqtarit hetues.

Autor i vrasjes së trefishtë në Maqedoninë e Veriut, 52-vjeçari fshihej në Tiranë prej 10 vitesh! Dikush informoi “Operacionalen” për vendndodhjen e tij

0

Besim Sherifi prej 10 vitesh dyshohet se fshihej në Tiranë. Ai përdorte identitetin e një kosovari, dokumente të cilat iu sekuestruan pas arrestimit dhe që dyshohen se mund të jenë të falsifikuara. Fillimisht, dy muaj më parë, forcat Operacionale kishin marrë informacion në rrugë operative se një person i skeduar për vrasje fshihej në një apartament në zonën e Liqenit të Thatë.

Pasi kanë bërë identifikimin e tij, pala shqiptare ka kërkuar informacion tek autoritetet në Maqedoninë e Veriut dhe kanë konkluduar se 52-vjeçari Besim Sherifi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Pasi Operacionalja ndërhynë në banesën që ai qëndronte me qira, 52-vjeçari u ka thënë nuk jam unë personi që kërkoni. “Nuk kam kryer asnjë vrasje, jam shqiptar kosovar.”

Por sipas burimeve, shenjat e gishtave zbuluan se personi në fjalë ishte Besim Sherifi. Vrasja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur në vitin 2007 në fshatin Kopanica, në Shkup ku janë vrarë 3 persona. Për të gjykata kishte caktuar arrest në burg në mungesë, që sipas legjislacionit penal në Maqenoninë e Veriut parashikon dënim me burgim të përjetshëm.

Dita Ndërkombëtare e Holokaustit, ministri i Jashtëm izraelit: Shqipëria, një shembull morali për botën

0

“Shqipëria qëndron si një shembull morali për botën”. Kështu është shprehur ministri i Jashtëm i Izraelit Gideon Sa‘ar në aktivitetin përkujtimor për Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit të organizuar nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë.

“Jam i nderuar t’i drejtohem ceremonisë vjetore të Shqipërisë për Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit. Historia unike e Shqipërisë qëndron si një shembull morali për botën.

Gjatë Holokaustit, ndërsa në pjesën më të madhe të Europës hebrenjtë dërgoheshin në kampet e vdekjes, shqiptarët u ngritën në mbrojtje të hebrenjve në emër të kodit të tyre të nderit, Besa. Asnjë hebre nuk u dërgua drejt vdekjes. Shqipëria ishte i vetmi vend i pushtuar nga nazistët ku popullsia hebraike u rrit gjatë Holokaustit. Ne nuk do ta harrojmë kurrë këtë.

Populli hebre dhe Shteti i Izraelit do të jenë gjithmonë mirënjohës për guximin tuaj në shpëtimin e hebrenjve dhe për zgjedhjen e anës së drejtë të historisë. Ne e vlerësojmë thellësisht guximin moral të Shqipërisë edhe sot, dhe vlerësojmë miqësinë dhe udhëheqjen morale të Kryeministrit Edi Rama.

Zonja dhe zotërinj, ne nuk duhet të harrojmë kurrë gjashtë milionë gra, burra dhe fëmijë hebrenj të vrarë gjatë Holokaustit. Kurrë më”, tha ministri i Jashtëm izraelit.

 

“Gërdeci”, GJKKO rrëzon kërkesën e avokatëve të Fatmir Mediut: Nuk do ketë ekspertim të shënimit “për Shkëlzenin”

0

GJKKO nuk pranoi kërkesën e avokatëve të ish-ministrit të Mbrojtes Fatmir Mediu, për ekspertim të shënimit “për Shkelzenin”, në një faks të paraqitur si provë në proces.

Avokatët e ish-ministrit pretenduan edhe për një sërë aktesh, që janë referuar nga prokurorët në gjyq, por nuk iu janë vënë në dispozicion nga Gjykata.

Për ta mundësuar këtë seanca u shty për në datën 10 shkurt.

Kushtetuesja merr sot vendim për ankimin e Ramës ndaj pezullimit të Belinda Ballukut

0

Trupa gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese do të mblidhet këtë të martë për të marrë vendim lidhur me ankimin e kryeministrit Edi Rama për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Seanca pritet të zgjasë disa orë, ku gjyqtarët do të japin qëndrimet dhe argumentet e tyre, ndërsa më pas do të zhvillohet votimi.

Vendimi pritet të njoftohet sot ndërsa 8 gjyqtarët do të sqarojnë gjithashtu nëse ka pasur ndërhyrje të gjyqësorit në ekzekutiv dhe nëse një ministër gëzon imunitetin ligjor të një deputeti.

Ky është rasti i parë kur një ministër pezullohet nga detyra pas një kërkese të SPAK-ut, duke e vendosur çështjen në qendër të vëmendjes së opinionit publik dhe juridik.

Më 22 janar, Gjykata Kushtetuese shqyrtoi ankimin e kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin për pezullimin e Ballukut. Qeveria kërkon që Gjykata të interpretojë nenin 103 të Kushtetutës, sipas të cilit anëtarët e qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit, dhe të vendosë nëse Gjykata e Posaçme mund të pezullojë një ministër pa autorizim nga Kryeministri.

Dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kundërshtuan pretendimet e qeverisë, duke deklaruar se nuk ka konflikt kompetencash mes pushteteve dhe se pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e Kryeministrit.

Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese vjen në një moment kur SPAK ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për autorizim për arrestimin e Ballukut, duke e vendosur çështjen në qendër të debateve juridike dhe politike në vend.

Aksidenti tragjik në Gramsh, zjarrfikësit rrëfejnë momentin kur nxorën trupin e infermieres: Duart po na dridheshin, premë kabinën dhe gërmuam poshtë kamionit…

0

Një aksident tragjik u regjistrua pasditen e së hënës në aksin Kabash-Poroçan, në territorin e bashkisë Gramsh, ku si pasojë humbi jetën infermierja e zonës dhe mbetën të plagosur dy shtetas të tjerë.

Pranë fshatit Bardhan, një mjet tip kamion doli nga rruga dhe si pasojë përfundoi në humnerë. Fatkeqësisht ky aksident rezultoi të ishte fatal për infermieren Dëshira Hoxha, e cila nuk arriti t’i mbijetonte plagëve të marra.

Ndërsa, mësuesja Albana Boja dhe shoferi i mjetit mbetën të plagosur dhe aktualisht ndodhen në spital, në gjendje kritike.

Lidhur me këtë aksident tragjik ka ardhur dhe një reagim nga Forcat zjarrfikëse të Gramshit, të cilët u përballën me kushte ekstreme, duke ndërhyrë në një zonë pyjore të thellë dhe me një terren të rrezikshëm.

Përmes rreshtave ata kanë përshkruar momentet e tmerrit ku i duhej që të luftonin me kohën për të shpëtuar të aksidentuarit. Mësohet se fillimisht nga mjeti është nxjerrë mësuesja, ndërsa më pas, pas më shumë se një ore përpjekjesh është nxjerrë edhe shoferi.

Fatkeqësisht, infermierja u gjet pa shenja jete, duke lënë pas dhimbje të thellë te kolegët, familja dhe komuniteti.

“Ditën e djeshme, shërbimi ynë zjarrfikës u përball me një nga operacionet më të vështira dhe më të dhimbshme në rrugën Gramsh-Poroçan. Një kamion me tonazh të lartë kishte dalë nga rruga dhe ishte rrokullisur në një shpat pylli me pjerrësi të madhe, duke sfiduar çdo përpjekje njerëzore për të fituar kohë ndaj fatit. Brenda mjetit ndodheshin tre jetë: shoferi, një mësuese dhe një infermiere.

Mes terrenit të ashpër, heshtjes së rëndë dhe minutave që dukeshin si orë, filloi beteja për t’i nxjerrë një nga një. Fillimisht u shpëtua mësuesja dhe u nis me urgjencë drejt spitalit. Më pas, pas më shumë se një ore përpjekjesh të pandërprera, duke prerë pjesë të kabinës mes llamarinave dhe hekurit të shtrembëruar, u nxor edhe shoferi.

Së fundmi, sytë dhe shpresat u drejtuan tek infermierja, e mbetur në një pozicion tepër të vështirë. U gërmua nga poshtë kamionit, me duar që dridheshin nga lodhja dhe zemra që rrihte fort nga shpresa. Por për fat të keq, ajo u gjet pa shenja jete. Një humbje që na preku të gjithëve”, thuhet në reagimin e Shërbimit Zjarrfikës të Gramshit.

Kjo ngjarje tragjike ka tronditur veçanërisht shërbimin shëndetësor në Gramsh, ku Dëshira Hoxha njihej për përkushtimin dhe humanizmin e saj në shërbim të qytetarëve të cilët jetonin në zona të thella malore.

Humbja e saj, teksa kthehej nga detyra, konsiderohet një plagë e rëndë jo vetëm për familjen, por edhe për institucionet dhe banorët që ajo i shërbeu pa u lodhur dhe pa thënë asnjëherë “nuk mundem”.

“Institucioni ynë i bashkohet dhimbjes së familjes dhe komunitetit për ndarjen nga jeta të infermieres Dëshira Hoxha. Dëshira shërbeu si infermiere në një zonë të thellë malore, aty ku nevoja për kujdes, humanizëm dhe përkushtim është edhe më e madhe.

Humbja e saj tragjike në një aksident, duke u kthyer nga detyra, është një plagë e rëndë për familjen, për ne si kolegë dhe për gjithë komunitetin që ajo shërbeu me dinjitet.Në emër të institucionit dhe të gjithë stafit shëndetësor, shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së saj, të afërmve, kolegëve dhe të gjithë atyre që e njohën.

Kujtimi dhe kontributi i saj do të mbeten gjithmonë pjesë e institucionit tonë. U prehtë në paqe, Dëshira”, shkruan Drejtoresha e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Gramsh, Besmira Braçja.

“Mu errësuan sytë”, plagosi vajzën në Durrës, zbardhet dëshmia e babait: Isha nën efektin e alkoolit, ajo më shpërfillte dhe injoronte

0

45 vjeçari Mikel Ndoi që u arrestua dje pasi plagosi vajzën e tij me thikë dhe një person tjetër, ka deklaruar në polici se ka qenë i dehur dhe në gjendje të rënduar psikologjike.

Ai ka shtuar se kishte si qëllim që të ribashkohej me familjen, por vajza e tij ishte kundër.

“Isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe nën efektin e alkoolit”.

Kështu e ka justifikuar sulmin me thikë ndaj vajzës së tij dhe kolegut të saj të punës, ngjarje e ndodhur paraditen e së hënës në qytetin e Durrësit, në lagjen 12.

“Shkova te vendi i punës së vajzës pasi nuk po më përgjigjej në telefon. Dua të ribashkohem me familjen por vajza ka ndikuar negativisht. Nuk donte të kishte të bënte më me mua, më shpërfillte, më injoronte. Shkova për ti thënë se doja të bisedoja me të, por më tha se nuk dua të kem asnjë lidhje me ty, për mua nuk ekziston më. Në këtë moment mu errësuan sytë, i thash hajde dalim pak përjashta që të flasim. Ajo më shtyu. Nuk mbaj mend më se çfarë ndodhi. Ishte edhe një djalë aty që nderhyri në ato momente. Teksa po tentonte të më largonte u pre nga thika edhe ai. Me pas ika dhe u fsheva diku afër repartit zjarrifikës. Aty e kuptova çfarë kishte ndodhur. Unë isha në gjendje të rënduar psikologjike dhe kisha konsumuar alkool. Më vjen shumë keq për atë që ndodhi. Jam penduar shumë. U kërkoj falje vajzës dhe djalit që u plagos. Djalin nuk e njihja fare. Nuk di çfarë të them, ndihem shume keq“, ka deklaruar Mikel Ndoi në polici.

 

Ky është 56-vjeçari që plagosi me thikë vajzën e tij në Durrës

0

Ky është 56-vjeçari Mikel Ndoj, i cili mëngjesin e djeshem plagosi në rrugët e Durrësit vajzën e tij dhe kolegun e saj.

Pas disa orësh kërkime, ai u arrestua nga policia e Durrësit.

Prindërit e vajzës kishin 6 vite të ndarë, ndërkohë që Mikeli kishte kërkuar një ribashkim. Kundërshtimi i vajzës dyshohet se çoi në përplasjen fizike.

Ndarja kishte ndodhur pas dhunës në familje, ndërsa 56-vjeçari ishte larguar në Itali, ku edhe ishte burgosur.

I kërkuar për tri vrasje në Maqedoninë e Veriut, 52-vjeçari arrestohet në Tiranë

0

Policia e Shtetit ka finalizuar fazën e 80-të të operacionit policor të koduar “Operacionalja”, duke lokalizuar dhe arrestuar në Tiranë një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje të trefishtë në Maqedoninë e Veriut.

Si rezultat i disa muajve hetime dhe kërkime intensive nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në Departamentin e Policisë Kriminale, shërbimet operacionale lokalizuan në zonën e Liqenit të Thatë dhe kapën shtetasin Besim Sherifi, 52 vjeç, banues në Kopanica, Saraj, Maqedoni e Veriut.

Nga verifikimet e thelluara rezultoi se 52-vjeçari fshihej prej kohësh në Tiranë, duke përdorur dokumente identifikimi dhe leje drejtimi të falsifikuara, në emër të një shtetasi nga Kosova.

Arrestimi i tij u krye me qëllim ekstradimi, pasi ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Shkupi, në bazë të një vendimi të Gjykatës së Shkupit të vitit 2007, e cila i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasja”, vepër për të cilën legjislacioni penal i Maqedonisë së Veriut parashikon dënim maksimal burgim të përjetshëm.

Sipas autoriteteve, Besim Sherifi dyshohet se më 5 tetor 2007, në fshatin Kopanica, Shkup, ka vrarë me armë zjarri 3 shtetas.

Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën ku qëndronte, policia i sekuestroi 1 pasaportë kosovare, 1 kartë identiteti kosovare dhe 1 leje drejtimi automjeti, të gjitha të dyshuara si të falsifikuara.

Materialet procedurale për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ndërsa Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Shkupin, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Maqedonisë së Veriut.

Sekuestrohen 9 ton kokainë në Portugali, sasi rekord për historinë e vendit

0

Policia portugeze njoftoi se ka sekuestruar një sasi rekord prej gati nëntë tonësh kokainë nga një mjet gjysmë-nëndetës i kapur pranë arkipelagut të Azorëve, në Oqeanin Atlantik.

Sipas autoriteteve, kjo është kapja më e madhe e kokainës e realizuar ndonjëherë në Portugali. Lajmi u konfirmua nga një zëdhënëse e policisë për agjencinë AFP.

Në një konferencë për shtyp, drejtori i Njësisë Kombëtare për Luftimin e Trafikimit të Drogës (UNCTE), Artur Vaz, deklaroi se janë rikuperuar pako me kokainë në një sasi totale të vlerësuar rreth nëntë ton. Ai theksoi se droga e transportuar mund të sillte “qindra miliona euro” për grupet e krimit të organizuar.

Operacioni u zhvillua rreth 230 milje detare, ose 426 kilometra, larg ishujve Azore, me mbështetjen e marinës dhe forcave ajrore portugeze, si dhe me ndihmën e autoriteteve të Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në kushte të vështira moti.

Sipas policisë, mjeti lundrues u fundos gjatë operacionit, ndërsa 35 nga rreth 300 pakot me drogë që transportonte humbën në det. Nëndetësja kishte origjinë nga Amerika Latine dhe në bord ndodheshin tre shtetas kolumbianë dhe një venezuelian.

Autoritetet portugeze kujtojnë se në tetor të vitit të kaluar u sekuestruan rreth gjashtë ton hashash në rajonin Seixal, ndërsa në mars të vitit 2025 Policia Judiciária konfiskoi edhe një nëndetëse tjetër të ndërtuar posaçërisht për trafik droge, e nisur nga Brazili.

Sipas të dhënave zyrtare, sekuestrimet e drogës, veçanërisht të kokainës, janë në rritje në brigjet portugeze. Vetëm gjatë vitit të kaluar u sekuestruan mbi 23 ton drogë, shifra më e lartë që nga viti 2006.