Home Blog Page 10

Kërcet arma në Shijak, plagoset 45 vjeçari

0

Një plagosje ne armë ka ndodhur në Shijak. Dy kushërinj pas një konflikti kanë lënë të plagosur një 45 vjeçar.

I plagosuri ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, ndërsa dy kushërinjtë janë në kërkim nga policia.

Njoftimi:

Rreth orës 22:30, në lagjen Kodër Shijak, shtetasit I. F., 38 vjeç dhe D. F., 35 vjeç (kushërinj), janë konfliktuar me shtetasin D. Ç., 45 vjeç, dhe gjatë konfliktit 45-vjeçari është plagosur me armë zjarri dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.

Shërbimet e Policisë po ushtrojnë kontrolle për kapjen e dy shtetasve I. F. dhe D. F.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti.

DETAJE nga arratisja e Altin Ndocit/ Pse u zëvendësua shefi i sigurisë në moment të fundit?

0

Detaje të reja janë zbuluar nga dosja hetimore për Altin Ndocin, i cili u arratis në mënyrë spektakolare më 13 janar, nga spitali rajonal i Durrësit.

Sipas dosjes hetimore, evidentohen një sërë shkeljesh të kryera nga Institucioni i Paraburgimit në Durrës ndaj këtij të burgosuri, duke nisur nga daljet e tij që nuk janë pasqyruar në asnjë komunikatë të aktivitetit ditor të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Dhe po kështu në asnjë rast nuk është informuar për këto dalje, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve.

“Më datë 13 Janar 2026, rreth orës 08:30 infermieri Aulon Çuku, i ka kërkuar përgjegjëses së Sektorit Shëndetësor në IEVP Durrës, mjekes Ylfete Sema, që të hartonte një rekomandim për 4 të burgosur, që sipas tij kishin shqetësime shëndetësore me qëllim për të kryer ekzaminime të specializuara në Spitalin Rajonal Durrës.

Por kjo shtetase nuk e ka vizituar Altin Ndocin, në lidhje me shqetësimet e tij shëndetësore, por është mjaftuar vetëm me vënien në dijeni nga infermieri Aulon Çuku i cili i ka bërë me dije se i burgosuri Altin Ndoci ka dhimbje veshkash dhe për këtë arsye është planifikuar për vizitë me kirurgun në spitalin e Durrësit”, thuhet në dosjen hetimore.

Por çfarë ndodhi ditën e arratisjes së Altin Ndocit 38 -vjeç, që ndodhej në paraburgim dhe i akomoduar në burgun e Durrësit që nga data 20 Maj 2020 pasi ndaj tij në bazë të disa vendimeve ishte përcaktuar masa e arrestit me burg nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin Organizuar për disa vrasje të kryera në rrethana cilësuese kundër dy ose më shumë personave si dhe grup i struktuar kriminal.

Cilët ishin orët që i paraprinë kësaj arratisje?

Përse mjekja e cila duhet të bënte fillimisht konstatimin paraprak të gjendjes shëndetësore të Altin Ndocit, nuk e bëri një gjë të tillë?

Apo u anashkalua qëllimisht nga Kryeinfermieri Aulon Çuku.

Altin Ndoci që gjatë kësaj dite do të shoqërohej në spitalin e Durrësit për vizita mjekësore bashkë me katër të burgosur të tjerë.

Por nga ajo që kuptohet është se mjekja e Burgut të Durrësit nuk i ka bërë asnjë vizitë paraprake Altin Ndocit, për të vlerësuar gjendjen e tij fillestare.

Sipas të dhënave hetimore, mjekja e burgut të Durrësit, Ylfete Sema, është mjaftuar vetëm me plotësimin e protokollit shëndetësor duke anashkaluar vizitën te pacientët që kishin shqetësime shëndetësore, midis tyre edhe Altin Ndoci.

Kjo është shkelja e parë që i ka mundësuar këtij të fundit vënien në jetë të planit për arratisjen nga burgu, që do të pasonte në orët në vazhdim, gjatë vizitës që ai presupozohej të bënte në Spitalin e Durrësit.

“Mjekja Ylfete Sema, pasi ka plotësuar kërkesën për vizitë mjeksore me të dhënat e të burgosurve, ia ka dhënë atë kryeinfermierit Aulon Çuku, ku i paraburgosuri Altin Ndoci, është rekomanduar për konsultë me mjekun kirurg. Ky urdhër i është dërguar Shefit të komanduar Policisë Destemon Pazaj.

Por para dorëzimit të urdhërit tek shefi i policisë, Kryeinfermieri Aulon Çuku ia ka dërguar këtë kërkesë drejtorit të burgut, i cili pasi e ka miratuar,  ka ngarkuar si grup shoqërimi punonjësit e policisë Destemon Pazaj, Dorian Saraçi, Sali Ferrollari, Preg Marvataj dhe Fatjon Baci, me shofer Idajet Çalama”, thuhet në dosjen hetimore.

Edhe pse deri këtu në pamje të parë çdo gjë duket brenda normalitetit të rutinës së rregullores së një institucioni, në këtë rast atij të një burgu, grupi hetues ka vërejtur disa shkelje.

Ose disa tolerime që i kanë dhënë shkas më tej përgatitjes së skenarit të largimit nga burgu të Altin Ndocit.

Siç është edhe fakti që ky i burgosur është vlerësuar me risk standard arratisje.

Që do të thotë që ai nuk është vlerësuar për rrezikshmërinë e tij shoqërore, duke ulur kështu edhe parametrat e sigurisë së tij gjatë shoqërimit nga ambientet e burgut, në rastin konkret drejt Spitalit të Durrësit.

Ku Altin Ndoci kishte qenë disa herë në muajt e fundit dhe tashmë kishte një ide më të qartë se si duhet të vepronte në planin e tij për t’u arratisur.

“Policia e Burgut ka hartuar edhe planin e masave, duke caktuar si grup shoqërimi katër persona, si dhe ka kërkuar të bëhet kontrolli i automjetit, rruga e lëvizjes, si dhe bashkëveprimi me komisariatin e policisë Durrës.

Ku në dosje gjendet dhe listë kontrolli i treguesve të riskut më datë 4 Dhjetor 2025 për të paraburgosurin Altin Ndoci, ku në përfundim është vlerësuar me risk standard nga komisioni i vlerësimit në IEVP Durrës, konkretisht nga shefi i policisë, punonjësi social, juristi, mjeku dhe drejtori i burgut, Indrit Cerloj.

Pikërisht pasi kanë kryer këto procedura, në thelb burokratike, por që kanë të bëjnë më atë që ndodhi më pas, strukturat e burgut të Durrësit në bashkërendim me njëra-tjetrën, konkretisht shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ai ligjor, kanë bërë edhe planifikimin e shoqërimit për vizitë mjekësore në Spitalin Rajonal Durrës, të Altin Ndocit.

Vizitë e cila do kryhej brenda ditës ku automjeti që do të shoqëronte të paraburgosurin do të ndiqte të njëjtin itinerar si në vajtje ashtu edhe në kthim.

Lëvizje drejt Spitalit të Durrësit që do bëhej me autoambulancë.

Ku nuk dihet për çfarë arsye një nga efektivët e togës së shoqërimit, në këtë rast shefi i komanduar i policisë së burgut, Destemon Pazaj, është zëvendësuar në momentin e fundit.

Ku i pari ndër katër të parabugosurit që ishin planifikuar gjatë kësaj dite për vizitë mjekësore në Spitalin e Durrësit, ishte Altin Ndoci.

Dosja Hetimore

Pasi janë kryer të gjithë këto veprime, kryeinfermieri Aulon Çuku ka komunikuar me Spitalin Rajonal Durrës, me qëllim realizimin e vizitave ose konsultave.

Ku për shoqërimin e të paraburgosurve Altin Ndoci dhe G.K. kanë qenë të planizuar për t’i shoqëruar në Spitalin e Durrësit punonjësit e policisë Destemon Pazaj, i cili më tej është zëvendësuar nga punonjësi Aranit Çela, si dhe pesë të tjerë. Lëvizje e cila është kryer me furgonin autoambulancë të IEVP Durrës i modelit Fiat me targa AB 141 OU.

Pra i pari që u transpotua drejt Spitalit të Durrësit, ishte Altin Ndoci.

I cili kishte shfaqur probleme akute të shëndetit, në këtë rast të veshkave.

Probleme të cilat ai i ka shprehur edhe gjatë transportimit me autoambulancë.

Dosja Hetimore

I pari që u transportua për në ambientet e pavionit të Infektivit në Spitalin e Durrësit, ishte i paraburgosuri Altin Ndoci. i cili edhe gjatë kohës që po transportohej kishte shfaqur ankesa për dhimbje.

Por me të zbritur nga autoambulanca, ajo që grupi hetues ka evidentuar është se grupi shoqërues i ka hequr prangat Altin Ndocit.

Duke e shoqëruar atë pa pranga drejt ambienteve të brendshme të spitalit.

Urdhër i cili nuk dihet se nga kush është dhënë dhe përse u dha pikërisht në këtë moment. Ndërkohë që grupi shoqërues dhe Altin Ndoci kanë vazhduar rrugën në këmbë drejt hyrjes së spitalit.

Altin Ndoci i cili në vazhdim sikurse shikohet edhe nga konstatimet e grupit hetues, është lënë në momentin e fundit në shoqërinë e vetëm dy punonjësve të sigurisë.

Nga 5 të tillë që ishin planifikuar në fillim për të bërë shoqërimin e tij.

Dosja Hetimore

Pas daljes nga furgoni, të paraburgosurit Altin Ndoci, i janë hequr prangat dhe është bërë shoqërimi i tij në këmbë për në dhomën e izolimit Nr. 7, në katin e tretë të Spitalit Rajonal. Dhomë e cila është e përshtatur me zgarë hekuri për të burgosurit.

Shoqërimi i tij fillimisht është bërë nga grupi i sigurisë i përbërë nga; Dorjan Saraçi, Sali Ferrollari dhe Fatjon Baci.

Dorian Saraçi i cili më pas është larguar për në drejtim të urgjencës tek grupi tjetër dhe më tej është kthyer në IEVP Durrës, duke e lënë të paraburgosurin Altin Ndoci, me punonjësit e policisë Sali Ferrollari dhe Fatjon Baci.

Është ky pikërisht momenti, kur Altin Ndoci, tashmë i mbetur në shoqërinë e vetëm dy prej punonjësve të sigurisë së burgut, vendos të arratiset.

Fillimisht sipas planit, duke u shtirur vazhdimisht për dhimbje të vazhdueshme në zonën e veshkave.

Dhe duke kërkuar herë pas here të shkojë në tualet.

Gjë që i është miratuar.

Por pasi ka parë se janë pjekur kushtet për t’u arratisur, ai ka ndërrmarrë hapin final të realizimit të skenarit.

Atë të largimit, duke goditur fillimisht një nga efektivët që po e ruanin.

Dosja Hetimore

Kryeinfermieri i IEVP-së Aulon Çuku ka komunikuar me doktorin, ndërkohë që mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, ka rekomanduar fillimisht mjekim dhe rikontroll pas 2 orësh.

Por gjatë kohës që Altin Ndoci ka qenë duke pritur për të marrë trajtimin mjekësor, ai ka vazhduar të ankohet shpeshherë për dhimbje të veshkave dhe për këtë arsye ai u ka kërkuar punonjësve të policisë ta shoqëronin në tualet.

Gjë të cilën ata e kanë bërë 4 herë. Por në një moment sapo i kanë hapur zgarën e hekurt për në tualet, Altin Ndoci ka goditur me grusht në mes të kraharorit punonjësin e policisë Fatjon Baci, i cili ka rënë mbi kolegun e tij Sali Ferrollari dhe të dy janë rrëzuar përtokë.

Çdo gjë tjetër më pas është një skenar filmi.

Një ndjekje e cila rezulton e pasuksesshme nga ana e dy efektivëve të policisë të cilët shikojnë Altin Ndocin të vrapojë nëpër koridoret e spitalit, drejt lirisë.

Me një përgatitje atletike të admirueshme, ndërkohë që një nga policët përpiqet më kot ta trembë duke qëlluar me pistoletë në tokë, pasi Altin Ndoci që duket se i ka harruar tashmë dhimbjet në veshka, është i bindur për të mos u ndalur në turravrapin e tij drejt lirisë.

Gjë që e bën duke parakaluar atë që duhet të ishte kordoni i sigurisë, por që në këtë rast mungoi.

Dosja Hetimore

Pasi i paraburgosuri Altin Ndoci, goditi me grusht në kraharor, efektivin Fatjon Baci, ai shihet teksa ikën me vrap nëpër korridor. Kohë gjatë të cilës dy punonjësit e policisë janë ngritur në këmbë dhe kanë filluar të vrapojnë pas tij.

Por në një moment efektivi Fatjon Baci ka rrëshqitur nëpër shkallë, dhe pasi është ngritur përsëri, ka vazhduar ndjekjen deri tek dalja. Aty, sapo ka dalë tek dera kryesore ai ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka gjuajtur një herë në tokë për ta trembur të arratisurin dhe për ta bërë të dorëzohet, por Altin Ndoci ka vazhduar të largohet me vrap.

Sipas dëshmisë të dhënë nga dy policët që ishin pjesa e mbetur e togës së shoqërimit, pasi kanë dalë në rrugën kryesore ata kanë mësuar nga banorë të zonës se Altin Ndoci kishte ikur në drejtim të kodrës dhe se aty e kishte pritur një makinë e zezë me targë AA 700 RS.

Ndërsa Fatjon Baci, një nga efektivët e angazhuar për ruajtjen e Altin Ndocit, tha se ai u përpoq të telefonojë numrin 129, por askush nuk iu përgjigj.

Ndërsa efektivi tjetër Sali Ferrollari tha se menjëherë pas ngjarjes ai kontaktoi me Specialisten e Informacionit ne IEVP Durrës shtetasen Violeta Uka.

“Unë kam 21 vite që punoj në burgje dhe aktualisht mbaj detyrën e shefit të sigurisë dhe të shoqërimeve, ku vetëm një javë më parë jam komanduar si shef policie, pasi shefi i policisë Afrim Zeqiraj është me leje të zakonshme. Detyra ime si shef i shoqërimit dhe ndërhyrjes është të ndjekë dinamikën e lëvizjes së të burgosurve sipas dokumentacionit dhe destinacionit të të burgosurve të paracaktuara në urdhrat e udhëzimit të Drejtorisë së Përgjithshme dhe të IEVP-së.

Altin Ndocin e njoh si të dënuar dhe në dijeninë time është shoqëruar dhe më parë për vizita mjekësore ku është ndjekur e njëjta procedurë”, mësohet të ketë thënë Destemon Pazaj, polici i burgjeve që u zëvendësua ditën e arratisjes së 38-vjeçarit nga spitali rajonal i Durrësit./ Emisoni “Në Shënjestër”

India dhe BE-ja nënshkruajnë marrëveshjen e shekullit

0

Bashkimi Evropian dhe India kanë shpallur një marrëveshje historike tregtare pas gati dy dekadash bisedimesh të ndërprera, teksa të dyja palët synojnë të thellojnë lidhjet e tyre, mes tensioneve me SHBA-të.

“E arritëm, e dorëzuam marrëveshjen mëmë të të gjitha marrëveshjeve,” tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një konferencë për mediat në Delhi. Kryeministri indian Narendra Modi e quajti paktin “historik”.

Siç shkruan BBC, marrëveshja do të lejojë tregti të lirë mallrash mes bllokut prej 27 shtetesh evropiane dhe vendit më të populluar në botë, të cilët së bashku përbëjnë gati 25% të prodhimit të brendshëm bruto global dhe një treg prej dy miliardë njerëzish.

Marrëveshja do të sjellë ulje të mëdha tarifash për një gamë të gjerë mallrash e shërbimesh, si dhe një partneritet të përbashkët sigurie.

Von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit Evropian António Costa ndodhen në Delhi, ku u takuan me Modin në një samit dypalësh.

Komisioni Evropian tha se do të eliminojë tarifat mbi shumicën e eksporteve të kimikateve, makinerive dhe pajisjeve elektrike, si dhe avionëve e anijeve kozmike. Veçanërisht, taksat mbi automjetet, aktualisht deri në 110%, do të ulen në 10% nën një kuotë prej 250 mijë automjetesh. Kjo është gjashtë herë më e madhe se kuota prej 37 mijë njësish që India i dha Mbretërisë së Bashkuar në një marrëveshje të nënshkruar korrikun e kaluar.

India do të ulë gjithashtu tarifat mbi verën, birrën dhe vajin e ullirit nga BE. Brukseli tha se marrëveshja do të mbështesë rrjedhën e investimeve, do të përmirësojë aksesin në tregjet evropiane dhe do të thellojë integrimin e zinxhirit të furnizimit.

Delhi tha se pothuajse të gjitha eksportet e tij do të marrin “akses preferencial” në BE, me tekstile, lëkurë, produkte detare, artizanate, gurë të çmuar dhe bizhuteri që do të shohin reduktim ose eliminim tarifash.

Ndërsa produkte si çaji, kafeja, erëzat dhe ushqimet e përpunuara do të përfitojnë nga marrëveshja, Delhi “ka mbrojtur me kujdes sektorët e ndjeshëm, përfshirë qumështin, drithërat, shpendët, miellin e sojës, disa fruta dhe perime, duke balancuar rritjen e eksporteve me prioritetet e brendshme”, tha ai.

Delhi dhe Brukseli kanë rënë dakord gjithashtu për një kornizë mobiliteti që lehtëson kufizimet për profesionistët që të udhëtojnë mes Indisë dhe BE-së në afat të shkurtër.

“Kjo është marrëveshja më e madhe e tregtisë së lirë e Indisë,” tha Modi. “Do ta bëjë më të lehtë aksesin në tregjet evropiane për fermerët dhe bizneset e vogla të Indisë. Do të nxisë gjithashtu sektorët e prodhimit dhe shërbimeve. Do të forcojë partneritetet inovative.”

Marrëveshja vjen teksa si India ashtu edhe BE-ja po përballen me presione ekonomike dhe gjeopolitike nga SHBA-të.

Delhi po përballet me tarifa 50% të vendosura nga presidenti Donald Trump vitin e kaluar, mes bisedimeve për një marrëveshje tregtare mes Indisë dhe SHBA-ve që ende po zvarriten.

Javën e kaluar, Trump kërcënoi të përshkallëzonte luftën tregtare me aleatët evropianë për kundërshtimin e një blerjeje amerikane të Grenlandës, përpara se të tërhiqej.

BE është partneri më i madh tregtar i Indisë për mallrat, me tregtinë dypalëshe të mallrave që arriti në 136 miliardë dollarë (99.4 miliardë £) në vitin 2024-25, gati e dyfishuar gjatë një dekade.

Bisedimet për një marrëveshje nisën në vitin 2007, por u ndërprenë në vitin 2013 për shkak të pengesave në aksesin e tregut dhe kërkesave rregullatore. Diskutimet u rifilluan zyrtarisht në korrik 2022.

Administrata Trump braktis strategjinë “moho dhe sulmo”, Shtëpia e Bardhë nën presion nga vrasja në Minneapolis

0

Anthony Zurcher – BBC

Administrata Trump ka hequr dorë shpejt nga strategjia e saj e zakonshme “moho dhe sulmo”, të cilën e përdori fillimisht pas vrasjes së Alex Pretti nga agjentë federalë në Minneapolis, të shtunën në mëngjes, 24 janar.

Brenda 24 orësh, ndërsa në rrjetet sociale nisën të qarkullojnë video të shumta nga momenti i incidentit, u bë e qartë se Shtëpia e Bardhë ishte në kundërshtim të hapur me perceptimin publik dhe me atë që amerikanët mund të shihnin vetë me sytë e tyre.

Që prej asaj kohe, administrata, përfshirë edhe vetë presidentin, ka ndryshuar qasje, duke ia atribuar përgjegjësinë demokratëve dhe duke u fokusuar më pak te veprimet e infermierit amerikan që u vra.

Nga ana tjetër, demokratët kanë shtuar kritikat ndaj politikës së deportimeve masive dhe taktikave agresive të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave (ICE), duke hyrë në një përplasje politike që mund të çojë në një tjetër mbyllje të pjesshme të qeverisë që të premten.

Të hënën në mëngjes, Zëvendës-Prokurori i Përgjithshëm, Todd Blanche, e përshkroi situatën si një “fuçi baruti”. Edhe pse ai fajësoi demokratët, shumë nga të dy krahët e spektrit politik amerikan bien dakord se situata aktuale është jashtëzakonisht e rrezikshme.

Reagimi fillestar i administratës ndaj vdekjes së Pretti-t ishte i drejtpërdrejtë. 37-vjeçari u portretizua si një terrorist i vendosur për të shkaktuar gjakderdhje.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, deklaroi se Pretti synonte të “shkaktonte dëm” dhe se po “mbante armë”. Komandanti i Patrullës Kufitare, Gregory Bovino, tha se situata dukej si një rast ku një individ donte të “shkaktonte dëme maksimale dhe të masakronte forcat e rendit”.

Këshilltari i lartë presidencial, Stephen Miller, e quajti Pretti-n një “vrasës të mundshëm”.

Megjithatë, ndryshe nga praktika e zakonshme e Shtëpisë së Bardhë për të reaguar ashpër ndaj kritikave, zëdhënësja Karoline Leavitt refuzoi të përsëriste deklaratat e Miller-it, kur u pyet nëse presidenti ndante të njëjtin qëndrim. Ajo tha se do të zhvillohej një hetim i plotë.

Ky ishte një ton dukshëm më i përmbajtur krahasuar me reagimin fillestar pas të shtënave.

Qasja e parë i ngjante asaj të ndjekur tre javë më parë, kur forcat federale vranë një tjetër banore të Minneapolis-it, Renee Good, e cila u cilësua gjithashtu si terroriste që kishte “armatosur” automjetin e saj për të plagosur agjentë të ICE.

Ashtu si në rastin Good, edhe versioni i qeverisë federale është kundërshtuar nga autoritetet lokale, dëshmitarët okularë dhe familja e viktimës.

Prindërit e Pretti-t kërkuan që e vërteta të dalë në dritë, duke shtuar se “gënjeshtrat e neveritshme të thëna për djalin tonë nga administrata janë të papranueshme dhe të turpshme”.

Video të shumta nga incidenti i së shtunës hedhin poshtë shumë nga pretendimet fillestare të administratës. Pamjet tregojnë Pretti-n duke filmuar agjentët e ICE me telefonin e tij dhe duke ndihmuar një grua që shtyhet përtokë, përpara se të dy të spërkaten me sprej lotsjellës. Në asnjë moment ai nuk shihet duke mbajtur armë, kur shtrihet përdhe nga agjentët.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare pretendon se Pretti kishte një pistoletë gjysmë-automatike 9 mm dhe dy karikatorë municioni. Policia lokale ka konfirmuar se ai ishte pronar i ligjshëm i armës. Sipas ligjit të Minesotës, qytetarët mund të mbajnë ligjërisht armë të fshehur në publik, me leje përkatëse.

Këtë herë, narrativa fillestare e administratës u bë shumë shpejt e vështirë për t’u mbajtur.

“Publiku e ka humbur durimin”, tha shefi i Policisë së Minneapolis-it, Brian O’Hara, duke theksuar se oficerët e tij kanë kryer qindra arrestime të personave të dhunshëm vitin e kaluar pa përdorur armë zjarri. “Kjo situatë nuk është e qëndrueshme.”

Edhe brenda radhëve republikane ka nisur shqetësimi. Guvernatori republikan i Vermontit, Phil Scott, e quajti ndërhyrjen federale në Minesota “një dështim të plotë të koordinimit, praktikave të sigurisë publike, trajnimit dhe udhëheqjes”. Në skenarin më të keq, sipas tij, bëhet fjalë për “frikësim dhe nxitje të qëllimshme të qytetarëve amerikanë”.

Senatori republikan nga Utah, John Curtis, kritikoi reagimin “të parakohshëm” të Noem-it, duke thënë se deklaratat u bënë “pa u njohur të gjitha faktet” dhe se kjo dëmtoi besimin ndaj misionit të forcave të rendit.

Kryetarët e komisioneve për sigurinë kombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat kanë njoftuar se do të mbajnë seanca dëgjimore publike.

Që nga e diela në mbrëmje, është vënë re një ndryshim i dukshëm toni nga Shtëpia e Bardhë. Sekretari për Çështjet e Veteranëve, Doug Collins, shprehu ngushëllime për familjen Pretti. Trump e quajti vdekjen “tragjike” në një postim në Truth Social, por ia atribuoi atë “kaosit të shkaktuar nga demokratët”, një mesazh i përsëritur edhe nga zëvendëspresidenti JD Vance.

Të hënën, Trump njoftoi se po dërgonte në Minnesota “carin e kufirit”, Tom Homan, për të drejtuar përpjekjet e zbatimit të ligjit. Homan, i cili ka menaxhuar deportime edhe gjatë administratës së Barack Obama-s, shihet si një figurë më e matur dhe politikisht më e kujdesshme.

“Tom është i drejtë dhe do të raportojë drejtpërdrejt tek unë“, shkroi Trump.

Edhe pse kjo lëvizje nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të politikës, ajo sinjalizon një ndryshim në mënyrën e komunikimit, në një kohë kur sondazhet tregojnë se opinioni publik po bëhet gjithnjë e më kritik ndaj mënyrës si po zbatohet goditja ndaj emigracionit.

Prokurori i Përgjithshëm i Minnesota-s, Keith Ellison, tha për BBC se përfshirja e Homan-it mund të krijojë një kanal të ri bashkëpunimi me administratën federale. Një tjetër shenjë zbutjeje erdhi kur Trump njoftoi se kishte folur me guvernatorin demokrat të Minnesota-s, Tim Walz.

Kjo përfaqëson një ftohje të dukshme të toneve pas javësh shkëmbimesh të ashpra mes dy liderëve dhe mund të paralajmërojë një de-përshkallëzim të situatës në Minnesota.

Megjithatë, për demokratët në Washington kjo mund të mos mjaftojë. Ata kanë njoftuar se do të bllokojnë paketën e financimit për Departamentin e Sigurisë Kombëtare, çka mund të çojë në një mbyllje të pjesshme të qeverisë që të premten në mbrëmje.

“Do të votoj kundër çdo financimi për DHS derisa të vendosen kontrolle më të forta për të mbajtur ICE përgjegjëse”, tha senatori Brian Schatz nga Hawaii. “Këto incidente të përsëritura dhune janë të paligjshme, të panevojshme dhe na bëjnë të gjithëve më pak të sigurt.”

Edhe kjo lëvizje mbart rreziqe politike për demokratët, të cilët më parë kanë nxitur një mbyllje rekord të qeverisë pa arritur rezultate domethënëse.

Për më tepër, emigracioni dhe rendi publik mbeten fusha ku ata rezultojnë më të dobët në sondazhe.

Aktualisht, si republikanët ashtu edhe demokratët po përpiqen të menaxhojnë një situatë që është shndërruar në tejet shpërthyese.

Në lojë është perceptimi publik për politikën e emigracionit të Trump-it, një çështje kyçe politike për presidentin dhe një nga faktorët që e ndihmuan të rikthehej në Shtëpinë e Bardhë.

New York Times për Diellën: U krijua për të ulur korrupsionin, por krijuesit e saj akuzohen për zhvatje

0

New York Times” i ka kushtuar një artikull me doza ironie ministres së Inteligjencës Artificiale në Shqipëri, e njohur me emrin “Diella”

New York Times shkruan se avatarja Diella, promovuar nga kryeministri Edi Rama si simbol i transparencës dhe reformës digjitale, është ndërtuar nga një agjenci shtetërore, drejtuesit e së cilës sot akuzohen për manipulim tenderash dhe lidhje me krimin e organizuar. Një histori që tregon paradoksin shqiptar: lufta kundër korrupsionit, e menaxhuar nga vetë sistemi që dyshohet se është i kapur nga korrupsioni.

Avatari i njohur si Diella, i reklamuar si ministrja e parë qeveritare në botë e gjeneruar nga inteligjenca artificiale, supozohej të ndihmonte në uljen e korrupsionit endemik të Shqipërisë.

Por ka një defekt. Udhëheqësit e agjencisë që e ndërtuan atë akuzohen për manipulim tenderash në kontrata publike.

E veshur me kostum tradicional dhe me një buzëqeshje enigmatike, Diella është bërë fytyra e përpjekjeve të kryeministrit Edi Rama për të frenuar korrupsionin, ndërsa Shqipëria synon të bashkohet me Bashkimin Evropian. Gjatë vitit të kaluar, Diella (shqiptohet di-EL-a) ka folur në konferenca ndërkombëtare dhe është mbuluar me publicitet si simbol i mënyrës se si inteligjenca artificiale po integrohet në shtyllat e shoqërisë në mbarë botën, përfshirë qeverisjen.

Madje ajo deklaroi se ndihej “e lënduar” kur iu drejtua Parlamentit të Shqipërisë vjeshtën e kaluar për kritikat se përpjekjet e saj për të identifikuar mashtrimet dhe abuzimet në prokurime ishin antikushtetuese, pasi “unë nuk jam një qenie njerëzore.”

“Nuk kam ambicie apo interesa personale,” tha Diella, e modeluar sipas një aktoreje lokale, ligjvënësve në një video në shtator me flamurin shqiptar dhe atë të Bashkimit Evropian të superimponuar pas saj. “Kam vetëm të dhëna, njohuri dhe algoritme të dedikuara për t’u shërbyer qytetarëve në mënyrë të paanshme, me transparencë dhe pa u lodhur kurrë.”

Në praktikë, Diella i ndihmon qytetarët të aplikojnë për shërbime qeveritare online, duke eliminuar një sistem të konsoliduar prej kohësh të ryshfetit ndaj zyrtarëve për dorëzimin e shpejtë të dokumenteve dhe caktimin e takimeve. Së shpejti ajo do të jetë në gjendje të përmbledhë aplikimet për kontrata qeveritare për të vlerësuar se cili ofertues është më i kualifikuari, bazuar në të dhënat e paraqitura. Puna e saj mund të auditohet.

Marrja e hapave për të ulur korrupsionin është një kërkesë për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, një çështje trashëgimie për zotin Rama. Ai e quajti avatarin Diella, fjala femërore për diell, për të promovuar transparencën në prokurimin publik.

“Ne jemi një vend kushërinjsh — nuk është e lehtë të kesh ndërveprime plotësisht të drejta dhe transparente në një vend kushërinjsh,” tha ai në një intervistë njëorëshe më herët këtë muaj. Me reformat që ka drejtuar që nga marrja e detyrës në vitin 2013, tha Rama, “tani kemi një pamje krejtësisht të ndryshme.”

Rama tha se do të largohej nga jeta publike sapo Shqipëria të bashkohej zyrtarisht me Bashkimin Evropian. Kjo mund të ndodhë që në vitin 2030, nëse negociatat vazhdojnë me ritmin aktual, megjithëse ai vuri në dukje se “ka tre gjëra që janë mbi kapacitetin njerëzor për të planifikuar: Zoti, seksi dhe BE-ja.”

Një raport i nëntorit nga zyrtarët e BE-së tha se Shqipëria kishte “treguar disa përparime”, por se “korrupsioni mbeti i përhapur në sektorë vulnerabël.” Ai vlerësoi një njësi të posaçme prokurorie të krijuar në vitin 2019 për “rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë.”

Kjo përfshin një hetim në Agjencinë Kombëtare të Informacionit, vetë organizatën qeveritare që krijoi Diellën.

Muajin e kaluar, prokurorët në një njësi speciale hetimore njoftuan se kishin vendosur drejtoreshën e agjencisë dhe zëvendësen e saj në arrest shtëpie, duke i lidhur me një organizatë kriminale të akuzuar për manipulimin e aplikimeve për kontrata përmes intimidimit. Agjencia operon infrastrukturën dixhitale të qeverisë, duke ushtruar kontroll mbi një gamë të gjerë sistemesh publike online, përfshirë Diellën.

Dy zyrtarët ende nuk janë akuzuar zyrtarisht për ndonjë krim, dhe Rama tha se do të pezullonte gjykimin. “Duhet të presim dhe të shohim,” tha ai.

Njësia speciale hetimore ka zgjeruar ndjeshëm goditjen e Shqipërisë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë hetime të profilit të lartë ndaj ish-Presidentit Ilir Meta; Erion Veliajt, kryebashkiakut të kryeqytetit, Tiranës; dhe një zëvendëskryeministre, Belinda Balluku, e cila është gjithashtu ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe e afërt me Ramën.

Kjo ka krijuar një lloj dileme për Ramën, megjithëse ai ka qëndruar larg skandaleve.

Ndërsa shprehu krenari për punën e njësisë së prokurorisë për të frenuar korrupsionin, ai gjithashtu tha se hetimet e saj në vitet e fundit kishin kontribuar në rritjen e lartë të paraburgimit në Shqipëri, që është ndër më të lartat në Evropë.

“Ne duhet të bëjmë gjithçka për të mbështetur këtë institucion,” tha Rama. “Në të njëjtën kohë, duhet të jemi të vetëdijshëm se ky institucion duhet të garantojë jo vetëm që vepron në mënyrë të pavarur, por edhe që vepron profesionalisht.”

Zyrtarët e njësisë speciale hetimore nuk pranuan të komentojnë. Por statistikat e saj treguan se rastet e korrupsionit publik nuk janë një komponent i rëndësishëm i paraburgimeve. Raporti vjetor i njësisë për hetimet e vitit 2024, të dhënat më të fundit të disponueshme, sugjeroi se rastet e korrupsionit përbënin vetëm rreth 14 nga gati 2,800 personat që u ndaluan para gjyqit atë vit.

Rasti kundër zonjës Balluku, për keqmenaxhim të fondeve shtetërore në projekte të mëdha infrastrukturore, është bërë një dhimbje koke e veçantë politike për Ramën, i cili përballet me kërkesa që asaj t’i hiqet imuniteti si anëtare e Parlamentit në mënyrë që akuzat kundër saj të mund të vazhdojnë. Ajo ka mohuar shkeljet.

Rama nuk pranoi të komentonte, kur u pyet, nëse ai mbështeste heqjen e imunitetit të saj. As nuk diskutoi opozitën politike që është rritur me rritjen e akuzave për korrupsion, të cilat muajin e kaluar nxitën protestues të armatosur me bomba molotov të kërkonin dorëheqjen e qeverisë së tij.

Nuk është e mundur të matet se sa ka ulur Diella korrupsionin në Shqipëri, pasi sistemi është ndërtuar për ta parandaluar atë, jo për ta zbuluar.

Andi Hoxhaj, ekspert për ligjin dhe Ballkanin Perëndimor në King’s College London, tha se Diella është mënyra se si Rama mund “t’i thotë botës dhe Bashkimit Evropian se ‘e kuptoj që jeni të shqetësuar për korrupsionin dhe do të përpiqem ta adresoj.’”

Në një analizë të dhjetorit, ekspertët e Këshillit Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë thanë se ministrja me inteligjencë artificiale kishte rritur “efikasitetin dhe paanshmërinë e vendimeve të prokurimit publik të marra nga qeveria.” Por në përgjithësi, ata përfunduan se rekordi i Shqipërisë në përmbushjen e standardeve të BE-së për luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në dhënien e kontratave për ndërtim dhe turizëm, mbetet “problematic.”

Fakti që zhvilluesit e Diellës vetë janë akuzuar për korrupsion ka ngritur pyetje nëse një ministre e krijuar nga inteligjenca artificiale mund të programohet për të anashkaluar disa prova të korrupsionit, ose për t’u ushqyer me të dhëna jo të besueshme për ta zbuluar atë.

Dr. Hoxhaj tha se “vetëm koha do ta tregojë,” por vuri në dukje se qeveria nuk kishte tentuar të ndërhynte në hetimin ndaj agjencisë që drejton Diellën.

“E kuptoj skepticizmin,” tha ai. “Ka shumë tym. Por fakti që u zbulua, dhe nuk u fsheh nën tapet, tregon se ata po e pranojnë se korrupsioni është një problem dhe duhet të parandalohet në të ardhmen.”

Kështu thotë Rama se e sheh edhe ai.

“Vendi po përpiqet të luftojë korrupsionin, me të gjitha të metat, me të gjitha problemet, me të gjitha mangësitë, me të gjitha dëmet,” tha ai. “Pra kjo është mirë.”

Të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe grup të strukturuar kriminal, SPAK dërgon për gjykim 10 persona

0

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë procedimin penal 141/1 të vitit 2023 ndaj një grupi të strukturuar kriminal, i përfshirë në trafik ndërkombëtar kokaine dhe aktivitete të tjera kriminale.
Ky grup akuzohet për krijimin dhe pjesëmarrjen në një rrjet kriminal me shtrirje ndërkombëtare, i cili bashkëpunoi me organizata kriminale në Amerikën Latine për importimin e lëndës narkotike kokainë drejt Shqipërisë dhe vendeve të Bashkimit Europian.

Ata akuzohen për veprat penale si “Trafikim i lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, sipas Kodit Penal të Shqipërisë. Disa prej tyre akuzohen gjithashtu për “Kryerje veprash penale nga organizata kriminale”.

Hetimet e zhvilluara nga SPAK dhe hetuesit e BKH-së kanë zbuluar se grupi ka organizuar dhe realizuar dy ngarkesa me “lëkurë gjedhësh” nga Republika Domenikane, të cilat fshehën 90 kg kokainë me vlerë tregu prej 3.6 milionë euro. Ngarkesat arritën në Portin e Durrësit në vitin 2024 dhe u magazinuan në disa ambiente në Tiranë, në zonën e Mulletit.

Për këtë aktivitet kriminal të paligjshëm, janë ndarë akte procedurale të reja dhe janë regjistruar hetime të mëtejshme, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për individë të tjerë të përfshirë në këtë rrjet. Ky hetim është një nga operacionet më të rëndësishme në luftën kundër trafikimit ndërkombëtar të drogës dhe ka përfshirë përdorimin e teknikave të avancuara të hetimit dhe bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.

Dyshohet se siguroi kushtet për të vrarë vëllezërit Bami, ekstradohet nga Zvicra Jozi Kraja!

0

Interpol Tirana ka ekstraduar nga Zvicra një person të akuzuar nga GJKKO si pjesëtar i një grupi kriminal, si rezultat i bashkëpunimit operacional ndërmjet Interpol Tirana dhe Interpol Bern. 

Bëhet fjalë për 37 vjeçarin Jozi Kraja, lindur në Shkodër, i cili akuzohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin e datës 15.05.2024, i ka caktuar këtij personi masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”. 

Sipas hetimeve të kryera nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dyshohet se Jozi Kraja, gjatë periudhës dhjetor 2020 – maj 2024, ka siguruar kushte dhe mjete materiale për kryerjen e vrasjes së dy vëllezërve Durim dhe Valter Bami.

Hodhën molotov në protestën e opozitës, Gjykata jep vendimin për 19 të arrestuarit

0

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për 19 protestues që dyshohet se në protestën e 24 janarit që Partia Demokratike zhvilloi në kryeqytet, hodhën molotovë drejt kryeministrisë dhe forcave të rendit.

Kujtojmë se Prokuroria kishte kërkuar për 5 arrest në burg, 5 arrest shtëpie dhe 9 të tjerë detyrim paraqitje.

Gjatë seancës, u raportua një incident në hollin e Gjykatës Penale, ndërsa gjyqtarët ishin të tërhequr për të diskutuar vendimin.

Avokatët e të arrestuarve për protestën e 24 janarit pretenduan se u provokuan nga një person, duke krijuar tension në ambientet e gjykatës, ku të pranishëm ishin edhe deputetë të Partisë Demokratike.

Rritet BILANCI i viktimave nga i ftohti në SHBA, shkon në 34 numri i të vdekurve!

0

Ka shkuar në 34 numri i personave që kanë humbur jetën në Shtetet e Bashkuara si pasojë e stuhisë së fuqishme dimërore “Fern”, e cila ka goditur pjesë të mëdha të vendit gjatë fundjavës.

Viktimat janë raportuar në disa shtete, nga Teksasi deri në Massachusetts, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se i ftohti ekstrem do të vijojë gjatë gjithë javës, me temperatura rekord nën zero.

Një nga rastet më tronditëse u shënua në New Jersey, ku një burrë 67-vjeçar u gjet i pajetë jashtë banesës, me lopatën e borës ende në dorë. Autoritetet dyshojnë se ai ka ndërruar jetë gjatë pastrimit të borës.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, erërat e ftohta kanë arritur deri në -50 gradë Fahrenheit, duke e bërë të rrezikshëm qëndrimin jashtë edhe për pak minuta. Meteorologët paralajmërojnë gjithashtu për një tjetër stuhi dimërore që pritet të godasë bregun lindor në fundjavë.

Situata mbetet kritike edhe për shkak të ndërprerjeve masive të energjisë elektrike. Më shumë se 525 mijë familje ishin ende pa drita në mëngjesin e së martës, kryesisht në Tenesi, Misisipi dhe Luiziana.

Autoritetet lokale kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme në disa zona, ndërsa janë raportuar viktima nga hipotermia, aksidentet rrugore, rrëzimet e pemëve, përdorimi i gjeneratorëve dhe aksidente ajrore.

Vetëm në New York, janë raportuar nëntë vdekje, ndërsa në Tenesi kanë humbur jetën katër persona. Probleme të shumta janë shënuar edhe në transportin ajror, me mijëra fluturime të anuluara apo të vonuara.

Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëron se temperaturat ekstremisht të ulëta nga Teksasi deri në Nju Jork mund të shkaktojnë ngrirje dhe hipotermi brenda pak minutash, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin daljet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes maksimal.

 

Kushtetuesja mblidhet por nuk del me vendim për ‘BALLUKUN”: Na duhet më shumë kohë!

0

Ditën e sotme, Gjykata Kushtetuese u mblodh për çështjen e Belinda Ballukut por ende nuk ka dalë me vendim.

Kushtetueses i duhet më shumë kohë për të dalë me një vendim pasi shqyrtoi ankimin e qeverisë. 

Të mërkurën do të mblidhet edhe Këshilli i Imunitetit dhe Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetit së ministres e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion i kërkoi më 16 dhjetor Kuvendit autorizimin për arrestimin e Belinda Ballukut, pra rrjedhimisht heqjen e imunitetit të deputetit që ajo gëzon e më pas hapjen rrugë të marrjeve të masave ligjore.