Home Blog Page 3

Atentati në Lezhë, shënjestër dyshohet anëtari i Nikulajve! Mbeti i plagosur bashkë me pronarin e berberhanes ku ndodhi sulmi, 3 atentatorët shkuan me ‘Audi’

0

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Rrilë të Lezhës, ku mbeti i plagosur një 30-vjeçar, pronari i berberhanes, Sokol Daci. Bashkë me të dyshohet të jetë plagosur edhe anëtari i fisit Nikulaj, i cili për momentin duket të ketë qenë shënjestra e sulmit. Ai gjendej brenda berberhanes, bashkë me një polic dhe persona të tjerë.

3 vite më parë, biznesmeni Ardian Nikulaj mbeti i vrarë në lokalin e tij në Shëngjin. Sipas të dhënave, autorët, të cilët mendohet të kenë qenë 3 persona, kanë ardhur me një automjet tip ‘Audi’ dhe njëri prej tyre ka zbritur dhe qëlluar me breshëri automatiku.

Mendohet se personat që ndodheshin në berberhane janë kundërpërgjigjur gjithashtu me armë.

Policia po ushtron kontrolle në klinika dhe spitale private, pasi dyshohet të jetë plagosur dhe edhe shënjestra e atentatit, i cili mendohet të ketë qenë anëtari i fisit Nikulaj.

30-vjeçari Sokol Daci u dërgua në Spitalin e Traumës, por ndodhet në gjendje të qëndrueshme. Sokol Daci nuk rezulton të ketë precedentë penalë apo të jetë një person problematik në zonë. Ai njihej gjithashtu edhe si berber Coli.

Policia po ushtron kontrolle në klinika dhe spitale private për të plagosurin tjetër, anëtarin e fisit Nikulaj.

Ngjarja rikthen në vëmendje historinë e hakmarrjes Nikulaj dhe Lekstakaj.

Si nisi saga e hasmërisë mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj

Hasmëria mes fisit Palaj (Lektasaj) dhe Nikulaj e ka zanafillën në vitin 1996 ku anëtarë të familjes Palaj (Lektasaj) kanë ekzekutuar vëllain e Ardian Nikulajt, pas një konflikti të çastit në një pikë karburanti për 1000 lekë karburant. Vëllai i Ardian Nikulajt bashkë me një person tjetër ishin shitës në karburantin në fjalë dhe një nga pjesëtarët e familjes Lekstakaj po furnizonte makinën. Pas furnizimit me karburant shitësit kanë debatuar me drejtuesin e mjetit me pretendimin se nuk kishte bërë pagesën prej 10 mijë lekësh të vjetra të furnizimit me karburant.

Pas debatit verbal drejtuesi i mjetit është larguar, duke u rikthyer i armatosur disa minuta më vonë dhe ka qëlluar në drejtim të dy punonjësve duke i lënë të vdekur në vend mes të cileve dhe vëllain e Ardian Nikulaj. Aty nis dhe historia e gjakmarrjes, ku pak muaj më vonë vriten Gëzim Lekstakaj dhe Laurent Gjetja që ishte nip i familjes. Ndërsa në vitin 1999 vritet Gjovalin Lekstakaj dhe plagoset rëndë Pjetër Lekstakaj. Sot e kësaj dite kjo ngjarje e rëndë e ndodhur disa vite më parë është e pazbardhur dhe s’ka asnjë autor të dënuar nga drejtësia.

Ka qenë kjo histori që ka sjellë disa vrasje mes dy fiseve, ku vrasja e Ardian Nikulajt në 19 prill të 2023 u pasua me vrasjen e Nikolin Lekstakajt, tre muaj më pas, më 19 korrik. Për Nikulajn u zbulua se vrasja u realizua nga të huajt për 1.7 milionë paund, shumë e ofruar edhe për kokën e vëllait të tij.

Pas gati 7 muajsh nga vrasja e Ardian Nikulajt, u ekzekutua edhe i afërmi i tij, Entjan Nikulaj.

Berisha në SPAK, mesazh Altin Dumanit: Avokati i Irenës me 5 mbiemra amnistoi krimin zgjedhor

0

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ditën e sotme është paraqitur në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitje” lidhur me hetimet për dosjen “Partizani”.

Pasi doli nga ambientet e Strukturës Antikorrupsion, Berisha, ashtu si herët e tjera lexoi mesazhin që i la Altin Dumanit, ish-kreut të SPAK.

Berisha e akuzon Dumanin se ka amnistuar krimin zgjedhor dhe thotë se drejtësia vonon, por nuk harron.

Berisha: Pojës së Skapit dhe avokatit të Irenës me 5 mbiemra, njeriut që amnistoi krimin zgjedhor, si mercenar i partisë-shtet, i rikujtoj se drejtësia vonon, por nuk harron. Kush e do këtë ta ketë në arkivën e vet të denoncimit të një delinkuenti të narko-shtetit shqiptar.

Sali Berisha akuzohet nga Prokuroria e Posaçme se vuri aparatin shtetëror në funksion të përfitimeve të dhëndrit të tij përmes privatizimit të ish-klubit sportiv Partizani.

Që nga vënia e tij nën hetim bashkë me Jamarbër Malltezin beteja e tij ligjore ka qenë e ashpër ndaj SPAK dhe dy hetuesve, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, po ashtu edhe ndaj gjyqtares që i caktoi masën e sigurisë, Irena Gjoka.

Ai e akuzon atë se ka fshehur një dënim në shtetin grek, të cilin e fakton me dëshminë e saj të penalitetit, që sipas kreut të PD, ka vulë apustile.

Tashmë dosja i është nënshtruar procesit gjyqësor, ndërsa pritet që seanca e ardhshme të jetë në datën 12 janar.

Ina Bello u largua nga drejtimi i Tatimeve të Durrësit për performancë të dobët, u keqpërdor për të goditur biznese

0

Performanca e dobët në punë, ka sjellë shkarkimin nga detyra të Ina Bellos, drejtoreshës së Drejtorisë Rajonale të Tatimeve në Durrës. Ky vendim lidhet me performancën e dobët në drejtimin e institucionit dhe me mosrealizimin e objektivave të vendosura nga administrata qendrore tatimore.

Drejtoria Rajonale e Tatimeve në Durrës konsiderohet një nga strukturat më të rëndësishme në vend, për shkak të volumit të lartë të aktivitetit ekonomik dhe peshës që ka në mbledhjen e të ardhurave buxhetore.

Pikërisht për këtë arsye, çdo problem në drejtimin e saj reflektohet drejtpërdrejt në rezultatet financiare dhe në funksionimin e administratës tatimore në terren. Sipas burimeve, gjatë periudhës së drejtimit të Ina Bellos janë konstatuar mangësi në arritjen e treguesve të performancës, në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe në eficiencën e kontrolleve tatimore. Këto elemente kanë çuar në vlerësimin se drejtoria nuk ka funksionuar në nivelin e pritshëm.

Largimi i saj vjen në një kohë kur administrata tatimore është nën presion për të rritur të ardhurat, për të luftuar informalitetin dhe për të garantuar trajtim të barabartë për biznesin. Në këtë kontekst, ndryshimet në drejtimin e strukturave rajonale shihen si pjesë e një procesi më të gjerë riorganizimi dhe rritjeje të kontrollit mbi performancën e drejtuesve.

Burimet thanë se Ina Bello u katapultua si drejtoreshë Tatimesh në Durrës, pasi u keqpërdor për të goditur biznese të caktuara. Bello i shërbeu eprorëve të saj, duke keqpërdorur funksionin si inspektore e Tatimeve VIP dhe për këtë keqpërdorje u shpërblye me postin e drejtoreshës së Tatimeve në Durrës. Por, mesa duket, shërbimi dhe keqpërdorja nuk ishin të mjaftueshme për t’i garantuar asaj jetëgjatësi në këtë detyrë.

Vidhte targa automjetesh dhe ua shiste personave me precedent për të kryer krime, arrestohet 36-vjeçari

0

Policia e Durrësit ka vënë në pranga autorin e dyshuar të vjedhjes së targave të automjeteve shqiptare dhe kosovare, të cilat dyshohet se ua shiste personave me precedent penal për kryerjen e krimeve kundër personit dhe pronës.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Targat”, u arrestua shtetasi E. Q., 36 vjeç, nga Kosova, i dyshuar si autor i disa rasteve të vjedhjes së targave në qytetin bregdetar.

Policia thotë se 36-vjeçari u kap në flagrancë në lagjen nr. 13, zona Plazh-Durrës, duke qarkulluar me një automjet tip “Ford”, i pajisur me targa të vjedhura më parë në lagjen nr. 5, Durrës, në pronësi të shtetasit R. C.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, në bagazh u gjetën edhe dy targa të një automjeti nga Kosova, ndërsa në sediljen e shoferit u sekuestruan mjete të ndryshme si kaçavida, pinca, një thikë, një palë doreza dhe një kapuç i ngjashëm me maskat, të cilat dyshohet se përdoreshin për kryerjen e vjedhjeve.

Lista e fituesve/ Grammy 2026, rekorde historike dhe surpriza në natën e madhe të muzikës! Mesazhe kundër ICE: Nuk jemi kafshë, jemi amerikanë

0

Shumë artistë dërguan mesazhe kundër politikës anti-imigracion të administratës Trump dhe ICE gjatë ceremonisë së 68-të të Çmimeve Grammy, ndërsa shprehën solidaritetin e tyre për emigrantët.

Njëri prej tyre ishte muzikanti portorikan Bad Bunny, i cili fitoi çmimin “Albumi më i Mirë i Vitit”, në një moment historik për çmimet Grammy, pasi është albumi i parë ekskluzivisht në gjuhën spanjolle që fiton në atë kategori.

Muzikanti 31-vjeçar, i cili do të jetë artisti kryesor në shfaqjen e gjysmëfinales së Super Bowl, ua dedikoi çmimin e tij emigrantëve.

Përveç kësaj, midis artistëve që folën kundër politikës anti-imigracion të administratës Trump ishte edhe ylli britanik Olivia Dean, e cila u vlerësua me çmimin “Artistja më e Mirë e Re”.

“Unë qëndroj këtu si mbesa e një emigranteje”, tha këngëtarja, gjyshja e së cilës ishte pjesë e brezit Windrush. Termi i referohet një brezi emigrantësh nga vendet e Karaibeve që mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar nga viti 1948 deri në fillim të viteve 1970 për të plotësuar mungesat e fuqisë punëtore pas Luftës së Dytë Botërore.

“Unë ekzistoj falë kësaj trimërie dhe besoj se këta njerëz meritojnë admirimin tonë. Ne nuk jemi asgjë pa njëri-tjetrin” u shpreh ajo.

Ndërkohë, artistë të famshëm si Khelani , Gloria Estefan dhe Billie Eilish shprehën gjithashtu mbështetjen e tyre për emigrantët, ndërsa disa yje në tapetin e kuq mbanin distinktiva ku shkruhej “ICE OUT” .

“Para se të falënderoj Zotin, do të them, ICE jashtë. Ne nuk jemi të egër, nuk jemi kafshë, nuk jemi të huaj, ne jemi qenie njerëzore dhe jemi amerikanë”, u shpreh Bad Bunny.

Nga ana e saj, këngëtarja Billie Eilish, e cila fitoi çmimin për “Kënga më e Mirë e Vitit” për këngën e saj “Wildflower”, iu referua gjithashtu trazirave të fundit që po ndodhin në SHBA.

“Mendoj se duhet të vazhdojmë të luftojmë, të flasim hapur dhe të protestojmë. Zërat kanë rëndësi dhe njerëzit kanë rëndësi”, tha Eilish, ndër të tjera.

Më herët në ceremoni, kënga “GNX” e Kendrick Lamar fitoi çmimin për “Albumin më të Mirë Rap” dhe tani bëhet reperi me më shumë çmime Grammy, 26 gjithsej, duke tejkaluar Jay Z. Më vonë, ai fitoi edhe çmimin e tij të 27-të për “Albumin e Vitit” për duetin e tij “Luther” me këngëtaren R&B SZA . Kur ishte në skenë me Lamarin për të marrë çmimin, ajo iu referua edhe klimës aktuale politike.

“Ju lutem, mos u dorëzoni para dëshpërimit. E di që këto janë kohë të frikshme, por duhet t’i besojmë njëri-tjetrit dhe vetes. Nuk është qeveria që na sundon, por Zoti”, tha ai.

Gjithashtu britanikja Lola Young fitoi çmimin “Performanca më e mirë pop” për këngën “Messy” që e bëri të njohur për publikun e gjerë, ndërsa kënga “Mayhem” e Lady Gaga u vlerësua si “Albumi më i mirë pop”.

Ndër momentet kulmore të mbrëmjes ishin paraqitjet në skenë të idhullit të K-Pop-it, Rosé, dhe yllit të pop-it Bruno Mars.

Të dy performuan një version rock të këngës jashtëzakonisht të famshme “APT” , e cila u nominua për tre çmime në ceremoni, përfshirë “Kënga e Vitit”.

-Fituesit kryesorë të Grammy 2026:

Kënga e Vitit (Song of the Year)

  • Billie Eilish – Wildflower

Albumi i Vitit (Album of the Year)

  • Bad Bunny – Debí Tirar Más Fotos

Albumi më i Mirë Pop

  • Lady Gaga – Mayhem

Albumi më i Mirë Contemporary Country

  • Jelly Roll – Beautifully Broken

Albumi më i Mirë Música Urbana

  • Bad Bunny – Debí Tirar Más Fotos

Artisti i Ri më i Mirë

  • Olivia Dean

Performanca më e Mirë Pop Solo

  • Lola Young – Messy

Albumi më i Mirë Rap

  • Kendrick Lamar – GNX

Performanca më e Mirë Dance-Pop

  • Lady Gaga – Abracadabra

Performanca më e Mirë Rap

  • Clipse – Chains & Whips (feat. Kendrick Lamar & Pharrell Williams)

Nis plotësimi i formularit A1 për Maturën Shtetërore 2026, nxënësit përcaktojnë lëndët me zgjedhje! Dy data në dispozicion për formularin A1Z

0

Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro u është drejtuar sot maturantëve me një mesazh informues dhe motivues, duke bërë me dije se nga sot ka nisur procesi i plotësimit të formularit A1, përmes të cilit nxënësit përcaktojnë lëndët me zgjedhje për provimet e Maturës Shtetërore 2026.

Në fjalën e saj, ministrja theksoi rëndësinë e këtij vendimi, duke nënvizuar se zgjedhja e lëndëve ndikon drejtpërdrejt në orientimin akademik dhe studimet e mëtejshme. Ajo u bëri thirrje maturantëve të mos e marrin këtë vendim në mënyrë të nxituar:

“Mendojeni mirë këtë vendim të rëndësishëm, këshillohuni me mësuesit tuaj dhe me prindërit, sepse zgjedhja që bëni sot do t’ju orientojë drejt fazës tjetër të studimeve tuaja,” u shpreh ministrja.

Ajo informoi gjithashtu se për maturantët e viteve të mëparshme, aplikimi me formularin A1Z do të zhvillohet në datat 10–11 shkurt, ndërsa Drejtoritë Rajonale Arsimore, zyrat arsimore dhe shkollat janë në dispozicion për të ofruar asistencë gjatë gjithë procesit të aplikimit.

“Për ata që nuk janë maturantë të këtij viti, por të viteve të mëparshme, është formulari A1Z, i njohur edhe ky për të gjithë ata që ndjekin procesin. Por mirë është ta kujtojmë që për këtë të dytin, ka vetëm dy data në dispozicion. Kemi postuar dhe kemi bërë të njohur për të gjithë aplikuesit sipas drejtorive rajonale arsimore: Në datën 2,3 dhe 4 në Tiranë, Durrës dhe Fier. Në datën 5,6 dhe 9 në Korçë dhe në Lezhë do të jenë të gjithë në dispozicion për t’ju asistuar, për t’ju ndihmuar, që nga mësuesit, drejtuesit e shkollave, drejtuesit e zyrave arsimore dhe të drejtorive rajonale”, tha Kumbaro.

Mehdi Malkaj rrëfen dhimbjen më të madhe të jetës: Si djali fitoi betejën me drogën

0

Në “Grida Duma Podcast” erdhi një rrëfimi i sinqertë dhe pa filtra i Mehdi Malkajt për betejën e gjatë dhe të dhimbshme të djalit të tij me drogën.

Pa dramatizime dhe pa viktimizim, aktori i madh foli si baba, me fjalë të thjeshta dhe të vërteta që peshojnë rëndë.

“Gjënë time më të bukur dhe më të lumtur të kësaj kohe e kam momentin kur u vërtetua që u fitua një betejë nga djali”, thotë Malkaj, duke e quajtur këtë fitore më të madhe se çdo sukses personal apo profesional.

Ai rrëfen se djali ishte vetëm 15 vjeç kur provoi për herë të parë drogën, në një kohë kur askush nuk e kuptonte realisht çfarë ishte dhe sa shkatërruese mund të bëhej. “Adoleshentët bien në dashuri me atë që shohin, jo me atë që është”, shprehet ai, duke e përshkruar varësinë si një dashuri të rreme që zgjati më shumë seç duhej.

Malkaj flet hapur për netët pa gjumë, për kërkimet e pafundme në rrugët e Tiranës bashkë me bashkëshorten, për përpjekjet për të qenë shok i djalit dhe jo thjesht prind autoritar. Një rrugë e gjatë, e lodhshme dhe plot pasiguri, ku asgjë nuk ishte e garantuar.

Një nga momentet më prekëse të rrëfimit lidhet me marrëdhënien mes vëllait dhe motrës. Sipas Malkajt, dashuria e motrës u kthye në një dritë të fortë shprese dhe shërimi për djalin. “Ai tani është gjithë jetë, gjithë dritë. Ka sjellë dritë, gëzim, hare në shtëpi”, thotë ai, duke kujtuar edhe pushimet e para familjare pas shumë vitesh, ku djali ishte në timon, serioz dhe korrekt.

“Mua me bën përshtypje tani dashuria që ka me motrën. I thotë ajo më ke borxh 10 puthje”- tha ai duke përshkruar lidhjen mes motrës e vëllait.

Në fund, Mehdi Malkaj përcjell një mesazh të fortë dhe të rrallë për mënyrën si flitet për drogën.

“Mos mallkoni kurrë ‘u paça fëmijët me drogë’. Është luftë e madhe, shumë e madhe. Unë jam një sy e veshë andej e një sy këtej. Nuk i dihet asnjëher”, thotë ai, duke pranuar se vigjilenca nuk mbaron kurrë, por duke besuar se dashuria, familja dhe koha mund të bëjnë mrekulli.

“Me gruan time i kemi larë rrugët e Tiranës. Tërë natën me idene se do ta gjenim djalin, nuk e gjenim, vinte vetë”- tha në një moment të podcastit Malkaj.

EMRI/ Breshëri plumbash në berberhane, identifikohet 30-vjeçari që u plagos, ja si është gjendja shëndetësore

0

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e sotme në qendër të fshatit Rrilë në Lezhë, ku si pasojë ka mbetur i plagosur një person.

Burime kanë konfirmuar se i plagosuri është 30-vjeçari Sokol Daci, i cili është transportuar menjëherë drejt spitalit për ndihmë mjekësore.

Mësohet se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur brenda një ambienti që shërbente si berberhane, ku dyshohet se është qëlluar me breshëri automatiku.

Autori i dyshuar është larguar nga vendngjarja dhe ende nuk është identifikuar.

Forcat e Policisë kanë rrethuar zonën dhe po kryejnë veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit. Ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarjeje.

Hapet qarkullimi në njërën korsi në aksin Librazhd-Qafë Thanë

0

Pas rreth tetë orësh bllokimi, është hapur lëvizja me një korsi në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII, nyja kryesore lidhëse e juglindjes së vendit me Tiranën.

Bllokimi u shkaktua nga shembja e një masivi të madh shkëmbor pranë fshatit Dragostunjë, çka la të bllokuar në rrugë mijëra qytetarë për disa orë. Fatmirësisht, nga ky incident nuk u raportuan persona të lënduar.

Segmenti ku ndodhi rrëshqitja është aktualisht pjesë e punimeve për hapjen e gjurmës së re të Korridorit VIII, në kuadër të projektit të zgjerimit të rrugës.

Sipas ekspertëve të pavarur, ndërhyrjet e pastudiuara në shpatin e malit mund të kenë ndikuar në shembjen masive. Megjithatë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka mohuar që punimet të jenë shkaku i incidentit, duke ia atribuar situatën motit të keq dhe reshjeve.

Ekipet e ndërhyrjes punuan për orë të tëra në terren, duke kryer shembjen e kontrolluar të faqes së malit, me qëllim eliminimin e çdo rreziku të mëtejshëm për qarkullimin e mjeteve.

Gjatë kohës së bllokimit, gra, fëmijë dhe të moshuar u detyruan të qëndrojnë për orë të tëra në trafik, ndërsa policia rrugore rekomandoi përdorimin e aksit alternativ Maliq-Lozhan-Moglicë-Gramsh-Elbasan për drejtuesit e mjeteve që udhëtonin drejt Tiranës.

Bllokimi i këtij aksi përkoi me ditën e diel, kur fluksi i lëvizjes është i shtuar për shkak të kthimit të qindra pushuesve nga juglindja e vendit, duke e rënduar edhe më tej situatën në qarkullim.

Zbardhet biseda mes Epstein dhe Lajçak: Nuk e dinë si jam në aksion…

0

Departamenti i Drejtësisë i Shteteve të Bashkuara ka publikuar së fundmi mbi tre milionë dokumente nga dosja e Jeffrey Epstein, financierit të ndjerë amerikan të akuzuar për krime seksuale, duke hedhur dritë mbi kontaktet e tij me figura të njohura politike dhe publike.

Mes emrave të përmendur në dokumentet e publikuara është edhe ai i Miroslav Lajçak, politikan sllovak dhe ish-i dërguar special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi.

Sipas mediave që kanë analizuar materialet, përfshirë gazetën sllovake Dnevnik N, mesazhet e vitit 2018 sugjerojnë një marrëdhënie më të afërt mes Lajçakut dhe Epstein sesa ishte deklaruar më herët.

Dokumentet tregojnë se komunikimi mes tyre nuk kufizohej vetëm në tema politike apo diplomatike, por përfshinte edhe biseda me tone personale dhe shaka, përfshirë referenca për gra dhe udhëtime në qytete si Kievi dhe Moska.

Zbardhet biseda mes Epstein dhe Lajçak: Nuk e dinë si jam në

Në disa mesazhe të cituara nga mediat, Epstein shfaqet duke bërë komente provokuese, ndërsa Lajçaku përgjigjet me tone ironike.

“Mos u bë i keq. Nuk e dinë si jam në aksion’, i përgjigjej Lajçakut, sipas gazetës Dnevnik N.

Emri i Lajçakut përmendet qindra herë në dokumente, ndërsa Epstein thuhet se e thërriste shpesh me nofkën “Miro”.

Një pjesë e komunikimeve datojnë nga periudha kur Lajçaku ushtronte funksionin e Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe qëndronte shpesh në New York.

Pas publikimit të këtyre dokumenteve, mediat sllovake raportuan se Lajçaku ka dhënë dorëheqjen nga posti i këshilltarit të kryeministrit të Sllovakisë.

Megjithatë, ai i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se kurrë nuk ka komunikuar me Epstein për gra dhe se kontaktet e tyre kanë qenë të natyrës profesionale.

Autoritetet amerikane nuk kanë bërë të ditur nëse publikimi i dokumenteve do të pasohet nga hetime të reja ndaj personave të përmendur, ndërsa çështja vazhdon të shkaktojë reagime të shumta në opinionin publik ndërkombëtar.