Pas letrës që Presidenti Ilir Meta i nisi KPA ku kërkonte hetim disiplinor ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka ardhur dhe reagimi i deputetit socialist Erion Braçe. Ky i fundit e ka cilësuar sulm kriminal dhe shantazhues ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Por reflekton edhe padijen e frikshme të këtyre njerëzve; Shteti nuk ka pasur kurrë kaq padituri e ligësi në krye! Neni 124 i Kushtetutës e thotë qartë: Gjykata kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës! Pra askujt tjetër, president, president i shkarkuar, kryeministër, deputet “non grata”, deputet etj.
Neni 126 i KUSHTETUTES është edhe më i qartë: Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese gëzon imunitet për mendimet e shprehura dhe vendimet e marra ne ushtrim te funksioneve te tij, përveç rasteve kur ai ka vepruar për një interes vetjak ose me keqbesim.
Pra vetëm në këto dy raste dhe në asnjë rast tjetër. Neni 128 i kushtetues është i qarteë fare: Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit.
Procesi disiplinor ndaj gjyqtarit zhvillohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendos për shkarkimin e tij kur:
- a) konstaton shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit; b) dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.
Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese pezullohet nga detyra me vendim të Gjykatës Kushtetuese kur: a) ndaj tij caktohet masa e sigurimit personal “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi” për kryerjen e një vepre penale; b) ai merr cilësinë e të pandehurit për një krim të kryer me dashje; c) fillon procedimi disiplinor, sipas ligjit. Pra procesi disiplinor ndaj një gjyqtari kushtetues, konstatohet e zhvillohet nga gjykata kushtetuese!
Nga askush e kërrkund tjetër! Vendimi për pezullimin apo shkarkimin e gjyqtarit kushtetues e merr Gjykata kushtetuese! Askush tjetër! Kushtetuta është e qartë si drita e diellit! Ndaj sulmi i sotëm është shantazh kriminal ndaj Gjykatës Kushtetuese, krim penal dhe i përsëritur”, shkruan Braçe në postimin e tij.

