fbpx

Lexim, matematike dhe shkencë / Publikohen rezultatet e testimit ndërkombëtar, ja si renditen nxënësit shqiptarë

Rezulatet e testimit ndërkombëtar të arritjeve të nxënësve të moshës 15-vjeçare (PISA), për zbatimin e dijeve në zgjidhjen e problemeve të jetës reale, në lexim, matematikë dhe shkencë, të cilat u publikuan sot, e kanë renditur Shqipërinë në vendin e 61 midis 79 vendeve pjesëmarrëse. Rezultatet e PISA-s vlerësohen në 6 nivele ku 1 dhe 2 janë nivelet më të ulta dhe 6 niveli më i lartë i arritjeve. Testimi këtë radhë kishte në fokus të lexuarin.

Për Shqipërinë, ndonëse në përgjithësi shënohet një rritje mjaft e lehtë krahasuar me vitet e mëparshme, duke shënuar rënie të numrit të nxënësve me arritje të minimumit të mjaftueshëm dhe rritje të nxënësve me arritje shumë të mira, ato ende janë larg pritshmërive, të deklaruara dhe të shprehura edhe në dokumente zyrtare. Krahasuar me vendet e Rajonit, rezultatet paraqiten më poshtë.

Ndonëse jemi më mirë se disa vende të Rajonit, sikurse shihet në tabelë, krahasuar me mesataren e OECD-së jemi larg, që do të thotë se çdo diferencë me 40 pikë është gati një vit shkollor. E shprehur ndryshe, nxënësit tanë të klasës së 9-të janë të përgatitur afërsisht sa nxënësit e klasës së 7-të të vendeve anëtare të OECD-së.

Pavarësisht rritjes së lehtë krahasuar me testimet e kaluara, problem shqetësues mbetet cilësia. Aty rezultatet janë ende shumë të ulëta. Rreth 71 deri 81% e nxënësve në të tri fushat vlerësohen në nivelet 1 dhe 2 (ku mesatarja e OECD-së është rreth 46%) dhe pothuaj mungojnë ekselentët, niveli 6, në lexim dhe shkencë 0%, ndërsa në matematikë vetëm 0.3%. Ndërsa në nivelin 5 janë vlerësuar nga 0.2 në 2%, larg mesatares së OECD-së për këto nivele.

Analiza e rezultateve të PISA-s lipset të bëhet e detajuar dhe e thellë me qëllim që të shkohet deri te rrënjët e cilësisë së dobët, të zbulohen shkaqet, por jo pasojat sikurse ndodh rëndom, e të ndërhyhet përmes një plani kombëtar afatgjatë e jo sipas programeve 4-vjeçare të qeverive.

Ta harrojmë Finlandën e Singaporin, por, të kthejmë vëmendjen tek një vend baltik. Estonia, me rezultatet e saj, e cila është edhe befasia e kësaj radhe, le të shërbejë si model udhërrëfyes, pasi është vend vogël, ka një të kaluar afërsisht të ngjashme me ne, por, e ka përcaktuar prej kohësh arsimin prioritet, duke filluar që nga ai parashkollor mjaft cilësor, që vlerëson figurën e mësuesit, investon në kapacitete etj. Arritjet mbresëlënëse në nivel botëror i ka shënuar si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme në më pak se 30 vite.

Në testin e fundit, u vlerësua kompetenca globale, duke u kërkuar nxënësve të shprehin se si lidhen me të tjerët dhe çfarë mendojnë për jetën dhe të ardhmen e tyre. Në provën tjetër, në 2021, do të vlerësojë të menduarit krijues. Jemi gati për sfidën e radhës?