Liderët kosovarë: Fitore mbarëshqiptare në Tuz, bashkimi sjell fuqinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përshëndeti rezultatet paraprake të zgjedhjeve në Tuz, ku koalicioni shqiptar rezulton fitues. Haradinaj e quajti këtë rezultat një shembull se si bashkimi i shqiptarëve sjell sukses.

“Bashkimi në koalicion i subjekteve politike shqiptare, fitoi të drejtën për të qeverisur me Tuzin. Një shembull i shkëlqyer se uniteti i faktorit shqiptar sjell suksesin. Urime shqiptarëve të Tuzit për këtë fitore historike”, shkruan Haradinaj.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e konsideroi rezultatin një fitore mbarëshqiptare. As ai nuk la pa përmendur faktin se ka qenë bashkimi i shqiptarëve ai që solli këtë rezultat.

“Rezultati i zgjedhjeve në Tuz është fitore mbarëshqiptare. Është shembulli më i mirë se çfarë mund të arrijnë shqiptarët kur janë të bashkuar rreth një ideali. Urime Forumit Shqiptar! HTH”, shkruan Hashim Thaçi.

Nga numërimi i deri më tanishëm, koalicioni shqiptar kryeson me rreth 50% të votave, ndjekur nga partia e kryeministrit Milo Gjukanoviç, PDS. Shqiptarët kanë fituar 16 nga rezultatet paraprake nga 32 në total, pra u duhet edhe një mandat, pasi kryetari zgjidhet me shumicë të thjeshtë. Megjithatë për të konfirmuar zyrtarisht rezultatin pritet institucioni i menaxhimit të zgjedhjeve.