Luiza Gega është shpallur mbrëmjen e sotme kampione e Europës në garën e 3000 metrave me pengesa, në eventin që po zhvillohet në Mynih të Gjermanisë.
Ajo dha kohën 9’11”31, në një garë që e dominoi nga starti e deri në fund. Një rezultat i jashtëzakonshëm për Gegën dhe atletikën shqiptare, që ngjitet në majën e Europës.
Gega kurorëzoi kështu me një medalje të artë një sezon të jashtëzakonshëm, ku ka dominuar kudo që ka garuar. Kampione e Europës, në një garë që ajo nuk e vuri asnjëherë në diskutim fitoren, duke qenë gjithnjë në krye dhe e shkëputur ndjeshëm nga të gjitha rivalet, që duelonin vetëm për podiumin. Një triumf i madh për Luiza Gegën, trajnerin e saj Taulant Stërmasi dhe atletikën shqiptare.

