Një gjykatë në Podgoricë, shpalli fajtorë dhe i dënoi më gjithsej 69 vite e shtatë muaj heqje lirie 14 persona, midis tyre dy politikanë pro-rusë të opozitës, të akuzuar për një përpjekje për grusht shteti në prag të zgjedhjeve parlamentare të tetorit të vitit 2016 në Mal të Zi.
Dy shtetas rusë, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov, u dënuan në mungesë me 15, përkatësisht 12 vjet heqje lirie. Ish-shefi i xhandarmërisë serbe, Bratislav Dikiç, u dënua me tetë vite heqje lirie.
Gjatë shpalljes së vendimit, kryetarja e trupit gjykues, Suzana Mugosha, tha se “qëllimi i të akuzuarve ishte rrëzimi i dhunshëm i pushtetit në Mal të Zi”.
Prokurorët thanë se të akuzuarit kishin mbështetjen e Kremlinit për të vrarë kryeministrin e asaj kohe Milo Gjukanoviç.
Podgorica zyrtare ka akuzuar nacionalistët serbë dhe rusë për komplot për të pushtuar parlamentin gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, për të vrarë kryeministrin e atëhershëm, Milo Gjukanoviç dhe për të vendosur një udhëheqje pro-ruse në Mal të Zi.
Dy rusët e dënuar në mungesë, sipas prokurorëve në Mal të Zi, janë oficerë të shërbimit ushtarak rus të zbulimit. Moska hedhur poshtë mundësinë që “mekanizmat shtetërorë rusë”, të kenë qenë të përfshirë në përpjekje për grusht shteti dhe i ka quajtur akuzat absurde.
Gjithashtu, opozita e Malit të Zi i ka mohuar akuzat, duke i konsideruar një përpjekje për të mbajtur në pushtet Gjukanoviç, i cili tashmë është presidenti i vendit./real-news.tv/

