Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu këtë të dielë ka zhvilluar një takim me stafin mjekësor në Spitalin Infektiv ku është shprehur se e rëndësishme në këtë situatë është të mos bien pre e lojës së politikës.
Manastirliu në fjalën e saj ka theksuar se situata në të cilën ndodhet vendi në këtë fazë është serioze, por kapacitetet spitalore dhe njerëzore në shërbim të pacientëve janë në gatishmëri.
“Sot më shumë se kurrë duhet të kemi të njëjtin angazhim që nuk ka munguar në asnjë moment për të shërbyer pacientëve të prekur me Covid. Këto javë situata është delikate numrat janë të shtuar dhe presim të kemi dhe një rritje të shtrimeve të rasteve në spital krahasuar me disa javë më parë. Jam këtu për të parë nga afër situatën tek spitali Infektiv dhe Shefqet Ndroqi, për të parë kapacitetet që kemi të lira në mënyrë që të jemi në gjendje që të përballojmë situatën. Covid 3 është gati prej disa kohësh bashkë me stafin e mjekëve dhe të infermierëve që kanë qenë dhe duke dhënë shërbim tek spitali Infektiv dhe kjo është bërë më së miri falë punës së të gjithëve”, ka thënë ministrja.
Ndër të tjera ministrja iu është përgjigjur edhe akuzave të Partisë Demokratike ku ka theksuar se janë marrë të gjithë masat e nevojshme dhe spitali Covid 3 është gati, nëse duan mund dhe ta vizitojnë.
Sipas saj Covid 3 do të hapet në kohën kur mjekët e infektivit të kërkojnë kapacitete shtesë dhe të japin konfirmimin për hapjen e tij.
“Kur të ezaurohen kapacitetet e dy spitaleve dhe kjo ndodh në baza dinamike ne do të hapim Covid 3 që është pikërish në spitalin QSUT që është i gatshëm të hapet menjëherë në momenitn që ju thoni se janë ezauruar kapacitetet. Ju jeni ato të parët që përballeni me këtë të keqe që ka kapluar botën mbarë dhe është e rëndësishme që të jemi të fortë për ta vijuar këtë luftë deri në fund. Është e rëndësishme që ju të mos kolepsoheni nga politika. E rëndësishme për të gjithë ne është ulja e kurbës së infektimeve nuk ka vend për kolapse. Ne i kemi të gjithë masat e duhura për menaxhimin e situatës, ne kemi shtuar kapacitetet në sistem për të mos prekur sistemet e tjera shëndetsore, jam këtu për të dhënë kurajo dhe të siguroj për mbështetjen e pakushte të qeverisë, ne besojmë te ju dhe do të punojmë pa u ndalur për ofrimin e shërbimit të qytetarëve dhe për ndërgjegjësimin e tyre në mënyrë që ato të kujdesen për shëndetin e tyre dhe të tjerëve.
Kjo nuk është lojë, nëse do të ishte e tillë nuk do ishte e gjithë bota në vështirësi, por është çështje serioze pasi prek shëndetin, nuk duhet të na shqetësojë askush ne nga dritaret e facebook-ut, nga podiumet e politikës dhe nga divani, strukturat janë të gjitha gati. Si mund të thuash se nuk ka spital Covid 3, hajdeni që neser dhe të shkojmë ta vizitojmë, por do të hapet në momentin që është i nevojshëm një hap i tillë. Janë mjekët e Infektivit ato që e japin një vendim të tillë, dhe janë ato që do e menaxhojnë Covid 3. Gjithashtu spitalet Rajonale janë të përgatitur në lidhje me shërbimet që do të ofrojnë duke zbatuar protokollet përkatëse”, ka thënë ndër të tjera Manastirliu.

