fbpx

Manastirliu: Të mos krijojmë iluzione, jemi në mesin e betejës

Përmes një komunikimi që zhvilloi sot me qytetarët, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manasterliu u shpreh se vendi është në mesin e një beteje që nuk është ndalur në asnjë moment

Sipas saj lufta nuk ka mbaruar dhe se do të forcohen masat për të shmangur në maksimum përhapjen e COVID19.

“Që prej fillimit të epidemisë, Shqipëria ka një kurbë në rritje të moderuar të numrit të të prekurve. Sikundër është fakt se Tirana ka sot disa vatra të reja të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID19. Shkodra ka vatër të re. Po ashtu Fieri, Durrësi, Elbasani dhe Kavaja. Falë masave të distancimit social të ndërmarra nga Qeveria shqiptare, sot kemi një numër të prekurish dhe viktimash nga Covid 19, shumë herë më të vogël, se sa do të kish qenë ky numër, po të mos i kishim marrë këto masa”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë tha se nuk do të bëhen hapa mbrapa në drejtim të masave të distancimit social.

“Për fat të keq, në ditët e fundit, të gënjyer mbase nga krahasimi i shifrave të Shqipërisë me ato të vendeve të tjera, shumë prej jush do të kenë menduar se, ia hodhëm dhe kësaj lufte. Jo! E kundërta është e vërtetë. Jemi mu në mesin e një beteje që nuk është ndalur në asnjë moment, me një virus që sot, për shkencëtarë dhe mjekë në mbarë botën, ka më shumë të panjohura, se sa të njohura”, u shpreh Manastirliu.