fbpx

Masakra e Libofshës! Flet prokurori që ka kërkuar vendimin e fundit me vdekje: Si i zbuluam dy autorët, ngjarja unike se u zhdukën tre breza

6F6B54E2-4E07-423D-84F4-827DDBFB0A17.jpeg

Kiço Nano është prokurori që në vitin 1992 kërkoi dënimin me vdekjen të dy vëllezërve që bënë atë që u cilësua si masakra e Libofshës që vranë pesë persona.

Më datën 29.05.1992, ora 06:45, në fshatin Libofshë të rrethit Fier, në banesën e tyre u gjetën të vrarë shtetasit Petrit, Zenepe, Agim, Rajmonda dhe Magdalena Pupa. Autorët e krimit kishin mundur të përkulin hekurat e dritares, hequr xhamin e superluçes dhe ishin futur në banesë.  Nga hetimet intensive rezultoi se  autorë të ngjarjes ishin Ditbardh dhe Josif Çuko.

Ish-prokurori që hetoi ngjarjen e rëndë, Kiço Nano ka folur në emisionin Zona Zero me gazetarin Thimi Samarxhiu në Top News, duke dhënë detaje mbi atë proces që çoi në gjetjen e dy autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë.

“Kam qenë prokuror i rrethit të Fierit deri në korrik 1992. Në muajin maj, në Libofshë ndodhi një ngjarje tepër e rëndë kur u zhdukën tre breza. E kam ndjekur që nga fillimi, gjatë gjykimit, deri në ekzekutimin e të dy kriminelëve në qershor të atij viti. Ishte një ngjarje e rëndë, sepse u zhdukën tre breza, u vra djali i madh me bashkëshorten, fëmija i vogël, Magdalena, dhe djali. Ngjarje më e rëndë në botë, kur u zhdukën tre breza”, tha Nano në Zona Zero.

Më tej ai u shpreh se “kjo ngjarje u hetua në kohë rekord, hetim, gjykim, në shkallë e lartë, deri në ekzekutim, pra deri në firmosjen e presidentit të kohës, Sali Berisha. Më 25 qershor, unë kam qenë në sheshin Fitorja, pra hotel Turizmit kur u ekzekutuan”.

Më tej ai ka dhënë detaje se si u zbuluan autorët e ngjarjes, ajo që çoi në identifikimin e tyre.

“Mund të them që nga ekspertimi që u krye u gjet gjurmët e gishtërinjve te dritare. Pra doli që autorët kishin hequr xhamin nga dritaret, kjo na ndihmoi në zbulimin e autorëve. U punua shumë me ekspertin, ishte ai që i dha drejtim hetimit. Rezultoi se u gjetën gjurmët e Ditbardhit në të. Ai ishte skeduar në një vjedhje, duke bërë krahasimin, doli që gjurmët ishin të atij. Që aty filloi zbërthimi i tij. Edhe pse ai Ditbardhi tentoi të largohej nga Shqipëria, por nuk ia arriti dot. Kur u konkludua se ishte një nga autorët, pastaj vijuam hetimin, e u zbërthyen dhe u vendos përpara drejtësisë edhe Josifi. Gjurmët e gishtave i dhanë drejtim hetimit”, tha ish-prokurori.

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303