Mbyllen hetimet për lobimin rus, befason Elisabeta Imeraj

Kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj deklaron se dosja për akuzat e falsifikimit të dokumenteve për lobim rus është bllokuar, pasi njëri prej 3 prokurorëve të çështjes nuk ka firmosur.

Në një prononcim për ‘’BIRN’’, Imeraj deklaron se dosja që përmban akuzat për  kreun e PD-së Lulzim Basha, ish-sekretarin e PD-së Arben Ristani dhe financierin Ilir Dervishi për falsifikim të dokumenteve për pagesat e biznesmeneit kanadez Nick Muzin nuk është firmosur nga prokurori i tretë Kolë Hysenaj dhe rrjedhimisht nuk është dërguar në gjykatë.

“Dosja nuk është dërguar ende në gjykatë, madje nuk është qepur ende. Për hetimin e kësaj çështje ka urdhër për ngritjen e një grupi hetimor me tre prokurorë të cilët janë: Kolë Hysenaj, Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako. Për arsye shëndetësore nuk kam qenë në punë këto ditë, por konstatoj se dy prokurorët Ervin Karanxha dhe Gjergji Tako kanë vendosur apriori dhe kanë marrë iniciativë të vetëshpallen prokurorë të çështjes, duke e përjashtuar kolegun e tyre. Patjetër që prokurorët kanë të drejtë të vendosin bazuar në ligj dhe në bindjen e tyre të brendshme, por duhet të jemi në rregull edhe nga ana procedurale’’, thekson Imeraj.

Ndërkohë, ‘’BIRN’’ komunikoi dhe me 3 prokurorët e çështjes Gjergji Takon, Ervin Karanxhanë dhe Kolë Hysenajn.

Vetëm prokurori Karanxha pranoi të shprehej për çështjen në fjalë duke thënë se: “Dy të tretat jemi dakord, nuk e di pse i treti nuk ka firmosur. Hetimet janë mbyllur zyrtarisht sot’’, deklaron njëri prej prokurorëve Ervin Karanxha.