Me sukses ia doli! Roboti i NASA-s ulet në Mars

nassa-robot.jpg

Një robot i NASA-s u ul mbi Mars mbrëmjen e kaluar, gjatë një udhëtimi prej 292 milionë miljesh në kërkim të gjurmëve të jetës jashtëtokësore.

Rover Perseverance i Agjencisë Hapësinore Amerikane më në fund preku sipërfaqen e Planetit të Kuq, pas një udhëtimi të pabesueshëm shtatëmujor.

Shkencëtarët mbajtën frymën gjatë “shtatë minutave të terrorit”, teksa automjeti u zhyt në atmosferën e hollë të Marsit përpara se të ulej.

Ekspertët u alarmuan për shkak të një vonesë komunikimi prej 11 minutash kur po afrohej ulja, por më pas një brohoritje e madhe shpërtheu nga dhoma e kontrollit, fill pasi u konfirmua se ulja ishte e suksesshme. Shefi i NASA-s, Steve Jurczyk e quajti atë “të mahnitshme”.

Llogaria në Twitter e Perserverance postoi një fotografi në Mars:

“Përshëndetje, botë. Jam i sigurt në Mars. Këmbëngulja do t’ju çojë kudo”.

Misioni Mars 2020 synon të mbledhë mostra të shkëmbinjve të planetit – i cili do t’i ndihmojë shkencëtarët të mësojnë nëse ka pasur ndonjëherë jetë atje.

Zona e piketuar për studim është ajo e kraterit Jezero, ku sipas shkencëtarëve në të shkuarën mund të ketë qenë një liqen gjigant dhe ekziston madje mundësia të ketë patur jetë biologjike.

Roboti do të grumbullojë material, i cili do të lihet mënjanë deri në vitin 2026, ku më pas një tjetër pajisje do të lëshohet për të grumbulluar lëndën studimore.

Kjo do të thotë se vëzhguesit do të nisin punën në laborator në vitin 2030, në rast se gjithçka shkon mirë mes NASA-s dhe Agjencisë Evropiane të Hapësirës.

scroll to top