Mediat serbe: Macron tani aleat i Serbisë përballë Kosovës

Gazeta serbe ‘Blic’ raporton se presidenti i Francës, Emmanuel Macron do të pozicionohet në krah të Serbisë sa i përket konfliktit me Republikën e Kosovës. E përditshmja serbe e konsideron ‘risi’ pozicionimin e ri të Parisit.

“Macron, si një lider i ri evropian së bashku me Sebastian Kurtz, zëvendëson Angela Merkel, dhe prandaj synon të zgjerojë influencën e tij në rajonin e Ballkanin. Ndërkohë që duke vizituar vetëm Serbinë nga të gjitha shtetet e rajonit, ai dërgon një sinjal të qartë se shteti ynë (Serbia) është aleat kryesor i Francës në këtë pjesë të Evropës”.

Gazeta shkruan edhe për një vizitë të Macron në Moskë, ku do të takohet me homologun rus, Vladimir Putin, dhe që do i paraprijë vizitës së tij në Beograd.

Sipas ‘Blic’, qëndrimi i Macron ndaj Prishtinës ka ndryshuar pas refuzimit të qeverisë së Kosovës për të hequr taksën 100% ndaj Serbisë, si dhe faktit që shqiptarët shohin si aleat të vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sa i përket marrëdhënieve Francë-Serbi, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se do të nënshkruhen rreth 20 marrëveshje me Macron.