fbpx

Meta kthen në Kuvend ligjin e pronave, publikon arsyet

Edhe pse duket si një periudhë e qetë në marrëdhënien e tij me mazhorancën edhe për shkak të situatës që po kalon vendi në lidhje me luftën kundër koronavirusit, Presidenti Ilir Meta ka vendosur t’i kthejë një tjetër ligj Edi Ramës.

Meta kthen për rishqyrtim në Kuvend ligjin e pronave. Në dekretin e publikuar këtë pasdite në faqen e Presidencës, Kreu i Shtetit sqaron edhe arsyet që e kanë çuar në kthimin pas të këtij ligji.

“Kjo nismë ligjore nuk kaloi për miratim si paketë bashkë me ligjin nr. 111/2018 “Për Kadastrën”, siç u propozua, ndërkohë që u kërkua opinioni i Komisionit të Venecias për dispozita të projektligjit, të cilat kishin të bënin me kriteret për konfirmimin e të drejtës së pronësisë për tokën bujqësore për personat që dispononin Akte të Marrjes së Tokës në Pronësi.

Ky ligj ka të deklaruar si qëllim të tij krijimin e bazës ligjore të thjeshtuar e të harmonizuar për përfundimin e proceseve kalimtare administrativo- ligjore të trajtimit të pronës së paluajtshme të shtetit dhe pronës private, qëllim ky i mirëpritur nga Presidenti i Republikës.

Presidenti i Republikës vlerësoi përputhshmërinë e ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë” me Kushtetutën dhe kuadrin ligjor në fuqi dhe në përfundim të shqyrtimit, çmon se disa nene të këtij ligji duhen rishikuar nga Kuvendi i Shqipërisë, pasi përmbajtja e tyre në formulimin aktual:

– cenon parimin e sigurisë juridike;

– bie ndesh me dispozita kushtetuese;

– rrezikon të krijojë tension kushtetues;

– si dhe nuk është në harmoni me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese”, ishin disa prej argumenteve të Presidentit.