Gjatë fjalës së tij në Komisionin Hetimor, presidenti Ilir Meta zbuloi edhe një mesazh të cilin ia ka dërguar kreut të PD-së, Lulzim Basha në momentin kur nisi protesta e 8 qershorit.
Meta tha se e ka paralajmëruar kryedemokratin se nëse do të ndodhë diçka para Kuvendit, përgjegjësia ekskluzive do të jetë e tij dhe e gjithë atyre që kishin organizuar këtë protestë.
Ulsi Manja: Ju referuat disa herë protestës, ku thatë se “kisha informacione të besueshme se do digjej Kuvendi”. Nuk e di sa të besueshme kanë qenë këto informacione, por Kushtetuta ka zgjidhje. Ju si President dhe kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i konsideroni informacione shumë të besueshme se mund të kishte destabilizim dhe përplasje civile, a tentuat që me këtë argument t’i ulnit palët politike para se të merrnit firmosjen e dekretit?
Ilir Meta: Ky informacion i një institucioni mjaft të rëndësishëm të Sigurisë Kombëtare, ka qenë një informacion kritik, sepse përputhej me shumë informacione dhe paralajmërime publike e jo publike për atë se çfarë mund të ndodhte në protestën e 8 qershorit. Ekipi im i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që ka dhe informacione të tjera, gjykoi që situata ishte emergjente. Unë jam kthyer më 8 qershor nga Gjermania dhe kam qenë në zyrë pak para se të fillonte mitingu i opozitës.
Kishim nevojë të studionim edhe më shumë për shfuqizimin e 30 qershorit, vendosëm të bënim publik dekretin para fillimit të protestës për të parandaluar përshkallëzimin e protestës dhe për të shmangur drejtimin e protestuesve drejt Kuvendit të Shqipërisë. ky ishte paralajmërimi im për Bashën kur e mora në telefon sapo filloi protesta. Kur u shfaqën para Kuvendit disa protestues komunikova me disa përfaqësues të opozitës, që të shmangeshin nga Kuvendi. Madje bëra dhe një thirrje që qytetarët të shpërndaheshin. Mesazhi ka qenë i qartë për Bashën dhe të tjerët, se nëse do të vazhdonin aty dhe do ndodhte diçka, përgjegjësia do ishte ekskluzive e tyre, sepse ishin paralajmëruar më parë për këtë gjë.

