Morinë/ Transportonin mallra kontrabandë, në pranga doganierët dhe shoferi

Policia e Kukësit në bashkëpunim me Specialistë të Hetimit të Krimit Ekonomik, kanë arrestuar në flagrancë dy doganierë dhe një shofer furgoni në Doganën e Morinës, pasi kanë tentuar të kalojnë disa materiale ndërtimi kontrabandë.

Në pranga kanë rënë 59-vjeçari, H.B, banues në Tiranë me detyrë doganier në Doganën e Morinës, 47-vjeçar B.V banues në Kukës dhe në detyrë doganier në Doganën e Morinës, si dhe shoferi i furgonit ku ndodheshin materialet e ndërtimit, 29-vjeçari G.Sh, banues në Shtiqen të Kukësit.

Sipas policisë fillimisht u bë arrestimi i G.Sh pasi në aksin rrugor Morinë-Kukës është ndaluar furgoni ‘Iveko’ që drejtohej nga ai dhe në të cilin ishin ngarkuar 267 pako lëndë plastike (materiale ndërtimi), pa dokumenta shoqëruese.

Pas hetimit rezultoi se 29-vjeçari G.Sh ka hyrë nga Dogana e Morinës pa kryer detyrimet doganore. Më pas ka ardhur edhe arrestimi i dy doganierëve si dhe sekuestrimi i mallit.  Të arrestuarit do të përballen me akuzën e kontrabandës.