Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka thënë se aleanca do të nënshkruajë protokollin për pranimin e Maqedonisë më 6 shkurt.
“Më 6 shkurt ne do të shkruajmë histori”, ka shkruar në një postim në Twitter sekretari Stoltenberg.
“Aleatët e NATO-s do të nënshkruajnë protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, ka shtuar Stoltenberg.
Ky zhvillim vjen pasi Maqedonia dhe Greqia ratifikuan marrëveshjes, sipas së cilës, Maqedonia është pajtuar që të ndryshojë emrin e shtetit në Republika e Maqedonisë së Veriut.
Që prej vitit 1991, Greqia ka kundërshtuar përdorimin e emrit “Maqedoni”, pasi një provincë e saj veriore ka po të njëjtin emër.
Një zyrtar i NATO-s, i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP, se pas nënshkrimit të protokollit të pranimit “procesi i pranimit (të Maqedonisë në NATO) do të dërgohet në kryeqytetet e 29 aleatëve, ku ky protokoll duhet të ratifikohet sipas procedurave shtetërore të këtyre shteteve”.
“Kur të kryhet i gjithë ky proces, atëherë shteti do të bëhet anëtar i plotë”, ka thënë ky zyrtar./real-news.tv/

