Nën hetim shefi i Sigurisë së Portit të Durrësit, ja dyshimet që bien mbi të

nen.jpg

Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për shefin e Sigurisë së Portit Detar, Sokol Sula, i dyshuar se ka tentuar të fshehë një ngjarje të rëndë, ku disa persona, në tentativë për të hyrë me forcë në zonën e trageteve, kanë dhunuar dhe kërcënuar me armë disa punonjës të sigurisë portuale.

Në ngjarjen e ndodhur në 25 Shkurt 2019, shtetasi Ylli Agasi dhe dy persona të tjerë kanë keqtrajtuar punonjësit portualë, ndër të cilët edhe shtetasin I.SH., i cili vijon të jetë ende në spital pas dhunës barbare të ushtruar ndaj tij.

Shefi i Sigurisë së Portit të Durrësit, Sula, ka informuar Prokurorinë e Durrësit se, menjëherë pas konfliktit të dhunshëm, është urdhëruar ngritja e post-blloqeve në të gjithë pikat dalëse, por, gjithsesi dhunuesit kanë arritur të largohen me shpejtësi.

Prokurori i çështjes, Arjan Ndoja, në vijim të hetimeve për këtë rast, ka kërkuar nga autoritetet portuale pamjet e kamerave të sigurisë.

Megjithëse pamjet janë kërkuar zyrtarisht me dy shkresa në kohë të ndryshme, Sokol Sula, personi përgjegjës për sigurinë e Portit, nuk i ka vënë në dispozicion. Për këtë arsye, prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e pamjeve, për të hetuar dinamikën e plotë të ngjarjes.

Pas sekuestrimit të pamjeve, prokuroria zbuloi një rrethanë tjetër, e cila e rëndon më shumë situatën.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezultoi se, megjithëse ishin ngritur post-blloqe për bllokimin e agresorëve, ata kanë kaluar lehtësisht, me lejen e atyre që kishin për detyrë t’i ndalonin.

Në pamjet e administruara nga Prokuroria dallohet se si agresorët kanë ndaluar automjetin e tyre para një post-blloku, kanë biseduar lirshëm me punonjësit e Sigurisë dhe më pas janë larguar qetësisht, pavarësisht ngjarjes së rëndë.

Pasi janë këqyrur pamjet e kamerave, prokuroria ka ngritur dyshime se, me lejen e Shefit të Sigurisë së Portit, Sokol Sula, agresorët janë lejuar të largohen, duke i shpëtuar në këtë mënyrë ndalimit nga Policia.

 

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303