Ngërçi politik rreth Brexit duket se u ka kushtuar shtrenjtë dy partive kryesore britanike, të cilat kanë pësuar humbje të thella në zgjedhjet e fundit vendore.
Në votimet e së enjtes në territorin e Anglisë dhe Irlandës së Veriut, konservatorët e kryeministres Theresa May raportohet të kenë humbur paraprakisht mbi 400 këshilltarë në 248 këshillat e vendit.
Rezultati parashikohet të përkeqësohet deri në 1 mijë të tillë, ndërsa laburistët e Jeremy Corbyn po ashtu janë ndëshkuar me të paktën 60 poste më pak.
Ndërkaq, fituesit më të mëdhënj të këtyre zgjedhjeve kanë dalë liberal-demokratët anti-Brexit të Vince Cable, të cilët kanë marrë mbi 280 këshilltarë më shumë se në zgjedhjet e kaluara, dhe Partia e Gjelbër me mbi 40 këshilltarë.
Figura të ndryshme të spektrit politik pranuan të premten se paqartësia me Brexit ka luajtur një rol vendimtar në rezultatet e fundit, dhe veçanërisht dështimi i shumicës dhe i opozitës për të arritur një kompromis rreth problematikës serioze./real-news.tv/

