Mediat kosovare raportojnë se 28-vjeçari Jetmir Rudi nga fshati i Rud në Malishevë, i cili u raportua si i zhdukur dhe më pas si i dyshuar se e kishin marrë peng, ka inskenuar vetë gjithë ngjarjen,madje edhe pamjet që kishin dalë ku ai shihej i lidhur e i zhveshur në mes të malit, i ka inskenuar vetë.
Bëhet me dije se 28-vjeçari kishte lidhur veten me ngjitse, por jo duart, të cilat i kishte vënë pas shpinës që mos shihen në foto, më pas e kishte lënë telefonin në një vend që të filmonte dhe më pas kishte shpërndarë në rrjetet sociale edhe fotot. Rrobat të cilat i kishte deklaruar që ia kishin marrë, i kishte fshehur vetë në mal.
Mësohet se të gjitha këto i ka pranuar vetë 28-vjeçari në polici.
“Rasti rikualifikohet si ”Deklarim i rrejshëm”. Pas një pune intensive të njësiteve të hetuesisë dhe i gjetur para provave që posedon policia, i dyshuari ka pranuar se ka inskenuar rastin e rrëmbimit. I njëjti ka treguar edhe vendin ku ka fshehur telefonin dhe provat tjera, prandaj mbështetur në këto rrethana, me urdhër të prokurorit të shtetit rasti rikualifikohet si ”deklarim i rrejshëm”. Veprimet tjera si pjesë e procedurës do të ndërmerren në konsultim me prokurorin kompetent”, ka deklaruar policia.