fbpx

Nuk ndalen/ Pavarësisht kërcënimeve dhe arrestimeve, mijëra bjellorusë protestojnë në Minsk

Dhjetëra mijëra bjellorusë po protestojnë në rrugët e Minskut dhe në qytete të tjera, teksa protestat e opozitës pothuajse kanë hyrë në javën e pestë. Përmes këtyre protestave, ata po i bëjnë presion presidentit Alyaksandr Lukashenka që të organizojë zgjedhje të reja.

Protesta e 13 shtatorit po shihet si një sinjal se aktivistët e opozitës, por edhe qytetarët bjellorusë, nuk do të zmbrapsen, pavarësisht arrestimeve, rrahjeve dhe formave të tjera të kërcënimit që po iu bëjnë forcat e sigurisë së Bjellorusisë.

Duke brohoritur “Rroftë Bjellorusia” dhe “Sasha, je i pushuar nga puna”, protestuesit marshuan në një prej bulevardeve kryesore të kryeqytetit bjellorus, Minsk, duke valëvitur flamurin me ngjyrë të kuqe dhe të bardhë.

Lukashenka, që udhëheq me Bjellorusinë që  prej 26 vitesh, ka refuzuar që të bisedojë me kundërshtarët e tij dhe ka refuzuar çdo thirrje për zgjedhje të reja.

Kombet e Bashkuara kanë vlerësuar se deri më tani, 6000 persona janë arrestuar dhe në disa raste janë torturuar nga agjentët e sigurisë.

Në zgjedhjet presidenciale të 9 gushtit, Lukashenka fitoi mandatin e pestë me radhë, por, kritikët dhe opozita thanë se rezultati zgjedhor u manipulua.