Parlamenti Evropian sot voton për procesin e liberalizimit për Kosovën

Parlamenti Evropian pritet të votojë sot për hapat e ardhshëm të procesit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Dje, Parlamenti Evropian diskutoi lidhur me këtë çështje ku u vunë re dallimet mes përfaqësuesve evropianë.

Raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, deklaroi se Evropa është duke humbur kredibilitetin dhe qytetarët e Kosovës po humbin shpresën në lidhje me liberalizimin e vizave.

Ajo ka shtuar se Kosova ka përmbushur obligimet e saj, ndërsa ka tërhequr vëmendjen se rritja e radikalizmit mund të jetë rezultat i izolimit të Kosovës dhe dëshpërimit pasi BE-ja ka dështuar të realizojë premtimin e saj.

Përmes një postimi në Twitter, reagoi edhe Komisionari evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos. Ai shkroi se është i lumtur që Parlamenti Evropian e kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për kosovarët.