PD nxjerr foton: Ky është polici që goditi djalin e ish-deputetit

dhuna-2.jpg

Partia Demokratike thotë se ka identifikuar policin që goditi djalin e kreut të PD-së Fier, Luan Baçit, pas mbylljes së protestës së opozitës në Tiranës.

Zëdhënësja e selisë blu, Ina Zhupa, thotë se bëhet fjalë për Kreshnik Aliaj.

Sipas saj, operacionali i policisë ishte i veshur civil kur i mori me forcë telefonin Bruno Baçit që po filmonte shoqërimet me forcë të protestuesve nga policia dhe më pas e goditi.

Bruno Baçi së bashku me të atin, ish-deputetin demokrat Luan Baçi, u shoqëruan nga policia pas incidentit. Ata u liruan në orët e mbrëmjes së të shtunës (16 mars 2019) dhe po hetohen në gjendje të lirë.

Policia e Tiranës ka proceduar 33 persona për dhunën e ushtruar në protestën para parlamentit të Shqipërisë, ku 14 prej tyre janë të arrestuar, 11 po hetohen në gjendje të lirë dhe 7 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Mes personave të proceduar penalisht është dhe Sekretari i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, i cili ka qenë dhe organizatori i protestës.

Në grupin e personave të arrestuar është dhe 24-vjeçari Qamil Gjollesha, i cili vuan nga sëmundja e autizmit dhe epilepsisë.

Familjarët e të riut, jashtë kamerave shprehen se 24-vjeçari është arrestuar me pa të drejtë pasi nuk ka aftësi për të ushtruar dhunë.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303