Pëllumbi shitet për 1.25 milion euro

Në një ankand të mbajtur në Belgjikë, një pëllumb është shitur për një shumë marramendëse prej 1.25 milion euro, duke e kthyer kështu pëllumbin në shpendin më të shtrenjtë në botë.

Mediat lokale shkruajnë se pëllumbi flaman Armando, është shitur përmes internetit.

Siç bëhet e ditur, pëllumbi i moshës pesëvjeçare, njëherësh kampion i shumëfishtë në garat në shtigje të gjata, është blerë nga një kinez, emri i të cilit nuk është zbuluar.

Megjithatë, theksohet se pëllumbi i blerë nuk do të përdoret për gara, por vetëm për qëllime riprodhuese.

Më parë, në vitin 2017, në një ankand në Belgjikë një pëllumb ishte shitur për 400.000 euro.

“Nuk kishim menduar kurrë për një çmim të tillë as në ëndrrat tona. Shpresuam të shitej për një çmim rreth 400,000 deri në 500,000 euro, ose maksimumi deri në 600,000 euro”-u shpreh një përfaqësues i ankandit ku u shit pëllumbi.

Por Armando nuk është një pëllumb i zakonshëm. Tri garat e fundit të karrierës së tij ishin ”Kampionati i Ace Pigeon” në 2018, Olimpiada e pëllumbave në 2019 dhe ”Angoulême”, gara të cilat ai i fitoi të gjitha.

Fred Vancaillie, president i shoqatës lokale të pëllumbave në Perwez, i tha televizionit belg RTBF se ai ishte “Lewis Hamilton i pëllumbave”, duke shtuar se ai ishte një nga më të mirat në historinë e sportit.

Ndërsa Armando tani do të vendoset për një jetë të qetë, ka të ngjarë që pronarët e tij të rinj do të edukojnë dhe do të garojnë pasardhësit e tij./real-news.tv/