Pompeo bisedime me homologun rus për Venezuelën

Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo pritet të bisedojë sot me homologun e tij rus në lidhje me tensionet që kanë përfshirë Venezuelën.

Ndërkohë, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare John Bolton thotë se presidenti i përkohshëm i Venezuelës Juan Guaido ka nevojë për mbështetjen e figurave kyçe që mund kenë ndikim mbi forcat ushtarake të vendit. Ai tha se administrata e Presidentit Trump po vëzhgon me kujdes zhvillimet në Venezuelë dhe se “të gjitha opsionet janë në tryezë”.

Guaido po bën thirrje për një kryengritje për të detyruar Nicolas Maduron të heqë dorë nga pushteti, pas zgjedhjeve të manipuluara vitin e kaluar.

Opozita e Venezuelës ka organizuar protesta masive në kryeqytetin e vendit, Karakas, ku po kërkon dorëheqjen e Maduros. Bolton u tha gazetarëve të martën se e ardhmja e Venezuelës do të përcaktohet në ditët e ardhshme:

“Nëse kjo përpjekje dështon, ata do të bien në një diktaturë nga e cila ka shumë pak alternativa të mundshme. Është një moment shumë delikat”.

Këshilltari i sigurisë kombëtare tha se një tranzicion paqësor është i mundur me ndihmën e disa prej zyrtarëve kryesorë të Venezuelës:

Bolton tha se Venezuela kontrollohet nga një regjim ushtarak, i cili mbështetet nga Kuba dhe ndoshta Rusia. Ai tha se forcat e Maduros po vazhdojnë ta mbështesin atë nga frika.

Guaido, ish-kreu i asamblesë kombëtare të Venezuelës, bëri betimin si president i përkohshëm në janar. Më shumë se 50 vende e kanë njohur atë si president të përkohshëm, por Maduro ende ka mbështetjen e Kinës, Kubës, Rusisë, Iranit dhe Turqisë. Trazirat kanë shkaktuar një krizë humanitare në vendin e varfër./real-news.tv/