Presidenca e radhës e OSBE-së/ Sekretari i Përgjithshëm Montella pret delegacionin shqiptar

Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Montella, priti këtë të mërkurë në Sekretariatin Ndërkombëtar të Asamblesë  delegacionin e Komisionit parlamentar për Integrimin Europian të Kuvendit të Shqipërisë, të përbër nga kryetarja e Komisionit, Rudina Hajdari, nënkryetarja Senida Mesi dhe anëtari Ralf Gjoni.

Delegacioni u shoqërua nga ambasadorja e Shqipërisë në Danimarkë, Elida Petoshati dhe kryetari Departamentit Ndërkombëtar të Parlamentit, Sidrit Minxhozi.

Diskutimet prekën një sërë çështjesh, duke përfshirë vendimin e ardhshëm të Këshillit Europian për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, zhvillimet më të fundit në Shqipëri, si dhe proceset e reformës zgjedhore dhe asaj në sistemin e drejtësisë.

Sekretari i Përgjithshëm, Montella, nënvizoi se presidenca e radhës së OSBE-së është për Shqipërinë një përgjegjësi dhe një mundësi për vendin në tërësi, dhe një proces që duhet të përfshijë angazhimin dhe bashkëpunimin e të gjithë aktorëve kombëtarë, përfshirë këtu edhe parlamentin. Ai theksoi gjithashtu mbështetjen e fortë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Shqipërinë, ndërsa shprehu shpresën për forcim të mëtejshëm të bashkëpunimit të shkëlqyer, me rastin e vizitës së nivelit të lartë të një delegacioni të Asamblesë së OSBE-së në nëntor.

“OSBE-së i duhet një udhëheqje e fortë dhe unë kam besim se Shqipëria do të jetë në gjendje të çojë përpara axhendën e OSBE-së në një frymë të përkatësisë dhe përgjegjësisë kolektive”, – deklaroi Montella.

Montella theksoi gjithashtu vlerësimet e tij dhe të presidentit Tsereteli për tryezën e rrumbullakët lidhur me reformën zgjedhore, të ndërmjetësuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri në fund të muajit të kaluar.

Ai u shpreh se shpresonte që të gjitha palët do të vazhdojnë të përfshihen në këtë proces, duke iu referuar përfaqësuesve të qeverisë, parlamentit dhe opozitës, shoqërisë civile si dhe ekspertëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë.