Presidenti kinez takohet me liderët evropianë në Paris

Presidenti kinez Xi Jinping u takua ditën e sotme me udhëheqësit e Francës, Gjermanisë dhe Komisionit Evropian.

Vendet evropiane duan të zgjerojnë marrëdhëniet tregtare me Kinën.

Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker shkuan sot në Paris për t’iu bashkuar zotit Xi dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

Udhëheqësit evropianë janë duke u përgatitur për një takim të rëndësishëm mes Bashkimit Evropian dhe Kinës. Takimi i së martës është një moment kyç në turneun evropian të presidentit kinez, gjatë të cilit janë nënshkruar kontrata të rëndësishme biznesi, përfshirë një nga marrëveshjet më të mëdha që ka pasur ndonjëherë prodhuesi evropian i avionëve, Airbus.

BE është partneri më i madh tregtar i Kinës dhe dëshiron ta forcojë këtë marrëdhënie. Presidenti Emmanuel Macron tha se konkurrenca mes BE-së dhe Kinës nuk ka pse të sjellë dobësimin e sistemeve tregtare të botës, apo izolimin politik, ndërsa homologu i tij kinez premtoi bashkëpunim me Evropën.

Presidenti francez Macron tha se është e nevojshme të ketë një marrëveshje tregtare më të drejtë, të balancuar dhe shumëpalëshe me Kinën.

Xi tha se “Bashkëpunimi është më i madh se konkurrenca. Ne jemi duke punuar krah për krah dhe po ndihmojmë njëri tjetrin dhe nuk duhet ta shohim njëri tjetrin me dyshim.”

Ndërkaq, kancelarja gjermane Merkel deklaroi se Europa kërkon të luajë një rol aktiv në nismën kineze “një brez, një rrugë”, një projekt i rëndësishëm infrastrukture, duke shtuar se ajo duhet të sjellë më tepër reciprocitet në tregti./real-news.tv/