Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot dhe përshëndeti veprimtarinë artistike-kulturore tradicionale “Sofra Tiranase 2019”, që u organizua në Pallatin e Kongreseve, ku u shpalosën vlerat më të mira të kulturës dhe traditës shumëvjeçare të këngëve dhe valleve të Shqipërisë së mesme.
Në prani të anëtarëve dhe miqve të shoqatës “Tirana”, personaliteteve të shoqërisë, artit dhe kulturës kryeqytetase si dhe përfaqësuesve të familjeve të shquara tiranase, Presidenti i Republikës shprehu urimet në këtë datë të rëndësishme historike të përvjetorit të shpalljes të Tiranës si kryeqytet të Shqipërisë.
“Tirana shënon këtë vit edhe 405-vjetorin e saj të themelimit si qytet. Dëshiroj të uroj qytetarët e Tiranës dhe gjithë shqiptarët: Gëzuar ditëlindjen e Tiranës dhe 99-vjetorin e shpalljes së saj kryeqytet!
Vendimi i Kongresit të Lushnjës për shpalljen e Tiranës si kryeqytet ka qenë një vendim i gjetur dhe largpamës.
Tirana ia ka dalë me sukses të luajë rolin promotor të civilizimit shqiptar”, tha Presidenti Meta.
Me këtë rast Presidenti Meta vlerësoi kryetarin e shoqatës “Tirana”, zotin Arben Tafaj me Titullin “Për merita të veçanta civile”: “Për shërbimin e çmuar dhe aftësitë e larta drejtuese në dobi të interesit të qytetarëve, institucioneve vendore, vlerave demokratike të shoqërisë shqiptare; si dhe në ruajtjen e përsosjen e traditës e trashëgimisë kulturore të qytetit të Tiranës”.

