Presidentja e KE kritikohet për emërimet e reja

Presidentja e zgjedhur e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen është përballur me kritika për shkak të nominimit të një komisioneri përgjegjës për “Mbrojtjen e Mënyrës Evropiane të Jetesës”.

Kritikët kanë thënë se ky departament, që do të vëzhgojë migrimin dhe sigurinë, lidhet me retorikën e krahut të djathtë.

Një deputete evropiane holandeze e ka konsideruar këtë hap “grotesk”, ndërsa organizata ndërkombëtare, Amnesty International ka thënë se ai është “shqetësues”.

Emigrimi është kthyer në fushën më të ndjeshme politike në shumë shtete të Bashkimit Evropian.

Disa grupe të krahut të djathtë dhe ato nacionaliste kanë shënuar rritje të mëdha zgjedhore, pas zotimeve se do të zvogëlojnë valën e emigrantëve në bllokun evropian.