fbpx

Prodhuesit e energjisë, kushtet për të marrë Certifikatën e Pranimit të Veprës, opsionet për çmimet

energjia.jpg

Të gjithë prodhuesit e energjisë nga burime të rinovueshme në hidro (deri 15MW), fotovoltaik apo eolik, që marrin Certifikatën e Pranimit të Veprës (CVP) deri në 31 dhjetor të këtij viti mund të zgjedhin opsionin që duan për shitjen e energjisë.

Një udhëzim i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë saktëson se ose tarifa feed-in ose kontrata për diferencë janë dy mundësitë.

“Në përputhje me ligjin nr. 7/2017 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, prodhuesit me përparësi, të cilët kanë marrë certifikatën e pranimit të veprës të centralit elektrik, brenda datës 31 dhjetor 2020, kanë të drejtë të zgjedhin për të përfituar nga skema e mbështetjes, sipas kontratës për diferencë, në përputhje me parashikimet e këtij ligji apo të vijojnë me skemën e përfitimit sipas tarifave feed-in” thuhet në udhëzim.

Lidhur me kontratën për diferencë në bazë qëndron një shpërblim i ndryshueshëm, llogaritur si diferenca midis çmimit me të cilin prodhuesi i energjisë së rinovueshme është shpallur fitues në procesin konkurrues për dhënien e ndihmës (çmimi i caktuar) dhe çmimit tё tregut të energjisë elektrike (çmimi referencë).

Përfituesit e skemës së mbështetjes, sipas një kontrate për diferencë dhe niveli maksimal për një mbështetje të tillë, do të caktohen në një proces konkurrues, të hapur për të gjithë prodhuesit e energjisë elektrike nga burime tё rinovueshme, në bazë të kritereve të qarta, transparente dhe jodiskriminuese

Tarifa feed in nga ana tjetër është tarifë fikse me të cilën blihet energjia. Në rastin e HEC-ve deri në 15 MW kjo tarifë paguhet nga OSHEE dhe ka në bazë çmimin e Bursës Hungarze. Për eolikët deri në 3MW dhe fotovoltaikët deri në 2MW janë miratuar çmime feed-in provues mbi 70 euro MW.

 

Certifikata e Pranimit të Veprës

Të gjithë ato impiante që janë në prodhim dhe e kanë testuar veprën konsiderohet se e kanë marrë automatikisht këtë certifikatë. Impiantet e prodhimit të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, të cilat janë në operim dhe kanë devijuar nga fuqia e instaluar duhet të raportojnë në MIE ndërsa PV-ja lëshohet për të gjitha impiantet e prodhimit të energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, të cilat janë në operim dhe kanë kryer testimin e veprës pas daljes së ligjit nr. 7/2017.

Aplikimi bëhet për një impiant, i cili ka përfunduar procesin e testimit dhe të kolaudimit të veprës në përputhje me parashikimet ligjore dhe kontraktuale dhe është energjizuar (ka një kontratë) me OST/OSSH. Subjekti duhet të paraqesë të dhënat teknike dhe specifikimet e centralit elektrik, dokumentacionin shoqërues të CPV, lejen e ndërtimit dhe miratimin për lidhjen me sistemet elektronenergjetike si dhe dokumentacionin për përfundimin e ndërtimit të veprës.

 

Procedurat për lëshimin, transferimin dhe refuzimin e certifikatës së pranimit të veprës

Ministria, mbështetur në kërkesën e prodhuesit ekzistues me përparësi (aplikuesi), fillon menjëherë procedurën për shqyrtimin e kërkesës për pajisje me certifikatën e pranimit të veprës pasi ajo është protokolluar dhe është shoqëruar me dokumentacionin sipas këtij udhëzimi pranë Ministrisë.

Aplikuesi duhet të paraqesë, mes të tjerash, një NID, një adresë elektronike të vlefshme dhe të shoqërojë aplikimin me një listë dokumentesh për përmbajtjen e dosjes së aplikimit. Me aplikuesit do të komunikohet zyrtarisht nëpërmjet postës zyrtare elektronike të nëpunësit civil të ngarkuar për shqyrtimin e dosjes. Ministri miraton një grup pune me të paktën 4 specialistë dhe 1 drejtor, që kryeson grupin, të përfaqësojë AK-në në këtë procedurë.

Ministria, në çdo rast, i bën me dije aplikuesit, nëpërmjet postës elektronike, pranimin apo refuzimin e kërkesës për mangësitë në dokumentacionin e kërkuar në këtë udhëzim, jo më vonë se 10 ditë pune nga dita e depozitimit të aplikimit.

Ministria mund të kërkojë çdo sqarim, si dhe të japë të gjithë informacionin e nevojshëm për palët në proces. Pas përfundimit të komunikimit për pranimin dhe/ose refuzimin e kërkesës përpilohet një procesverbal i firmosur nga nëpunësit civilë dhe aplikanti. Ky procesverbal zbardhet nëpërmjet komunikimit zyrtar me hard copydhe me shkresë përcjellëse nga Ministria i dërgohet aplikuesit.

Pas njoftimit të fillimit të procedurës së shqyrtimit sipas këtij udhëzimi, brenda 30 ditëve, Ministria shqyrton aplikimin dhe informon kërkuesin për vendimin e Autoritetit Kontraktues mbi lëshimin e certifikatës së pranimit të veprës ose refuzimin e kërkesës së tij.

Brenda periudhës së përcaktuar në paragrafin 4, të këtij neni, Autoriteti Kontraktues merr vendim, për: -lëshimin e certifikatës së pranimit të veprës së kërkuar, i cili regjistrohet në regjistrin elektronik të certifikatës së pranimit që mbahet nga Autoriteti Kontraktues;-refuzimin e lëshimit të certifikatës së pranimit të veprës në rast se subjekti nuk përmbush kërkesat e nevojshme, procedurën apo dokumentacionin e kërkuar sipas kërkesave të këtij udhëzimi.

Ministria, në rast të refuzimit të kërkesës, do t’i bëjë të ditur vendimin e refuzimit aplikantit. Vendimi i refuzimit përmban arsyetimin në bazë të të cilit Ministria refuzoi aplikimin. Kur Ministria konstaton se kërkesa për pajisje me certifikatën e pranimit të veprës e paraqitur nga aplikuesi nuk përmban dokumente të rëndësishme, të cilat e pengojnë Ministrinë në verifikimin e përmbushjes së kritereve të këtij udhëzimi, Ministria specifikon që dokumentacioni është jo i plotë dhe mund të lëshojë një certifikatë me kusht. CPV me kusht lëshohet kur aplikanti nuk ka paraqitur një raport të verifikuar nga organet tatimore për vlerën e objektit. /Monitor/

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303