Propozimi i Beqajt në Kuvend: Të falen gjobat e vendosura nga AKU!

1551203547_parlamenti.jpg

Në Kuvendin e Shqipërisë është paraqitur një projektligj, që synon amnisti për një numër biznesesh që operojnë në sektorin ushqimor të ekonomisë së vendit, duke qenë se janë gjobitur për mungesë të licensave përkatëse, por të cilat më pas e kanë kryer këtë proces në përputhje me kërkesat e ligjit. Pra, nuk është fjala për të falur gjoba që lidhen me cilësi të keqe të ushqimit të prodhuar apo tregtuar për konsumatorët, por për kundravajtje ligjore të shkaktuar nga mospajisja me leje sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi.

Drafti është dorëzuar nga deputeti i Partisë Ilir Beqaj.

Qëllimi

Sipas relacionit shoqërues të projekligjit, qëllimi i tij është lehtësimi i barrës së operatorëve ekonomikë që kanë aktivitet kryesor prodhimin, përpunimin dhe shpërndarjen me shumicë të ushqimeve, si dhe shitjen me shumicë të prodhimeve shtazore, të cilët janë gjobitur nga AKU-ja, pasi nuk kanë qenë të licensuar për ushtrimin e aktivitetit në momentin e kryerjes së kontrollit, por që aktualisht janë pajisur me licensën përkatëse, sipas legjislacionit të licensimit.

Argumentimi

Në periudhën korrik-gusht 2019, në përmbushje të misionit të vet dhe në bashkërendim me institucione të tjera, në kuadër të përpjekjeve për të rritur shkallën e zbatimit të ligjit dhe reduktimin e informalitetit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërmarrë inspektime në të gjithë vendin. Midis të tjerash, ka inspektuar edhe operatorë ekonomikë që kanë aktivitet kryesor prodhimin, përpunimin dhe shpërndarjen me shumicë të ushqimeve, si dhe operatorë ekonomikë që kanë aktivitet kryesor shitjen me shumicë të prodhimeve shtazore.

Këto inspektime janë shoqëruar edhe me vendosjen e gjobave në përputhje me përcaktimet ligjore të legjislacionit në fuqi për ushqimin dhe sigurinë ushqimore. Një pjesë e konsiderueshme e vendosjeve të gjobave është lidhur me mungesën e pajisjes së operatorëve ekonomikë me lejen e veçantë të ushtrimit të llojit të aktivitetit sipas përcaktimeve të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 538, datë 26.05.2009 “Për Licensat dhe Lejet që trajtohen nga apo nëpërmjet Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe disa rregullime të tjera nënligjore të përbashkëta”, të ndryshuar.

Më konkretisht, në nënkategoritë “Prodhim, përpunim e shpërndarje me shumicë e ushqimeve” dhe “Shitje me shumicë e ushqimeve me origjinë shtazore (për njerëz)”.

“Nga kontaktet që unë, si deputet, kam patur me operatorë të ndryshëm ekonomikë të biznesit ushqimor, të cilët më kanë shprehur shqetësimin për gjobat e vendosura dhe bllokimin e aktivitetit, këta të fundit janë shprehur se kanë qenë të painformuar për detyrimin e pajisjes me këto leje të veçanta”, thekson deputeti Beqaj.

Veprimet

Ndërkohë, subjektet që janë gjobitur rezulton të kenë kryer një aktivitet të rritur për t’u pajisur me këto leje pas gjobitjes. Kështu, nga të dhënat e marra nga Qendra Kombëtare e Biznesit, rezulton se për licensën e tipit II-1- A, nëse në periudhën korrik – gusht 2018 janë bërë 79 kërkesa për pajisje me licensë, një vit më pas, pra në periudhën korrik – gusht 2019, janë bërë 808 kërkesa për të njejtën licensë. Kurse për licensën e tipit II-1- B, nëse në periudhën korrik – gusht 2018 janë bërë 52 kërkesa për pajisje me licensa, në periudhën korrik – gusht 2019 janë bërë 607 kërkesa për të njejtën licensë. Po nga të dhënat e marra nga QKB, rezulton se më shumë se 75% e kërkesave të periudhës korrik – gusht 2019 janë miratuar.

Numri 10 herë më i lartë i kërkesave në verën e 2019-ës krahasuar me verën e 2018-ës dhe miratimi më 2019 i më shume se 75% të kërkesave dëshmon se, në shkallë shumë të lartë, moszbatimi i ligjit nga operatorë të ndryshëm të biznesit ushqimor ka pasur si motiv kryesor mungesën e informacionit.

Kërkesa

Për sa më sipër, propozohet që gjobat e vendosura nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit për operatorët ekonomikë të biznesit ushqimor, në periudhën 1 korrik 2019 deri në 31 gusht 2019, të falen.

Subjektet

Subjektet që mund të përfitojnë janë gjobitur nga AKU-ja, pasi nuk kanë qenë të licensuar për ushtrimin e aktivitetit në momentin e kryerjes së kontrollit, por tani e kamë marrë licensën përkatëse

Kërkesat

Subjektet që janë gjobitur kanë bërë 1.415 kërkesa për licensë dy muajt e fundit pranë Qendrës KOmbëtare të Biznesit. Numri është 10 herë më i lartë në verën e 2019-ës krahasuar me verën e vitit 2018.

REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303