Protestat në Serbi, Vuçiç: Nuk jam i interesuar të flas me opozitën

Nuk jam i interesuar të flas me udhëheqësit e opozitës, ndërkohë që unë jam gjithmonë i hapur për dialog me qytetarët, deklaroi sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke komentuar protestat kundër autoriteteve në vend.

“Mua kjo nuk më intereson. Unë me ata nuk do të takohem. Për popullin dhe për qytetarët jam gjithmonë i hapur. E sa i përket këtyre hajdutëve jo. Pse nuk janë në burg, kjo është një pyetje e vështirë sepse ata kanë vendosur të gjithë sistemin e drejtësisë. Çfarë të flas me dikë që flet se unë cenoj integritetin territorial ndërsa në kohën e tyre Kosova shpalli pavarësinë dhe Mali i Zi u largua nga Jugosllavia”, tha ai.

Vuçiç vlerëson se protestat në Beograd mbështeten nga mediat në Zagreb, Sarajevë dhe Prishtinë dhe nevojitet që njerëzit të mendojnë pse kjo është kështu.

Sipas tij, mediat kosovare bënë lajm kryesor protestat në Graçanicë, ku morën pjesë “19 njerëz, nga të cilët 12 janë në të vërtetë nga Graçanica, ku jetojnë 18.000 banorë”.

Vuçiç foli edhe për pagat në Serbi, duke njoftuar se paga mesatare do të rritet në 500 euro deri në fund të vitit, ndërsa gjithashtu tha se Serbia kryeson midis vendeve të rajonit në garën për hapjen e një fabrike të madhe, duke mos specifikuar fabrikën./real-news.tv/